Masterat ndahen në profesionalë dhe shkencorë
Ligji i arsimit të lartë, që për më shumë se tre muaj po diskutohet në universitete e mes specialistëve, ka ngjallur interes edhe për Këshillin e Ministrave. Vetë Kryeministri, në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ka dashur ta njohë kabinetin e tij për ndryshimet e kërkuara nga Ministria e Arsimit, të cilat sipas tij duhet të miratohen, në stadin ku ndodhet aktualisht arsimi. Konkretisht, në ndryshimet e kërkuara për amendimin e ligjit të arsimit të lartë, kërkohet që të kemi dy lloj masterash, ata të llojit profesionalë si dhe ata shkencorë.
Përcaktimet e reja ligjore synojnë kristalizimin e disa elementëve thelbësorë të reformës së arsimit të lartë, siç është miratimi përfundimtar i sistemit “bachelor”. Sistemi i masterit do t’u japë studentëve një shans të dytë, mbi bazën e meritës, për të studiuar në degën e dëshiruar. “Këto ndryshime kanë si qëllim kryesor t'i përgjigjen stadit në të cilin ka arritur sot arsimi i lartë. “Në rrafshin sasior dhe cilësor, Shqipëria ka një arsim të lartë tjetër, një arsim që numëron rreth tri herë degë më shumë se sa numëronte 4 vite më parë, numëron pothuaj tri herë më shumë studentë”, tha dje Kryeministri Sali Berisha teksa veçoi projektligjin për amendimin e ligjit të arsimit të lartë. Sipas tij, arsimi ka hyrë tërësisht në platformën e Bolonjës, platformë kjo e shndërruar në një platformë universale në kontinentin europian.
Përcaktimet e reja ligjore synojnë rregullimin e disa elementëve thelbësorë të reformës së arsimit të lartë, siç është kristalizimi përfundimtar i sistemit “bachelor”, i cili do të jetë në tre vitet e para, term për të cilin kërkohet bashkëpunim me gjuhëtarët, për të gjetur fjalën e saktë në gjuhën shqipe.
Ndryshimet ligjore për arsimin e lartë do të vendosin sistemin master të dyllojshëm, master i shkencës, master i profesionit.
Ky sistem mendohet si më i mirë, pasi do t’u japë studentëve një shans të dytë mbi bazën e meritës, për të studiuar në degën e dëshiruar. “Mendoj se një ‘bachelor’, për ekonomi, mund të drejtohet për një master në drejtësi, duke plotësuar ato kredite që i nevojiten”, tha Kryeministri Berisha, duke dashur të japë një shembull ilustrues për rastin konkret.
Dje në mbledhje qeveria sqaroi se dekanatet, këshillat shkencore të fakulteteve, janë ato që mund të përcaktojnë më mirë se kushdo tjetër se ku të përdoren paratë për kërkimin shkencor.
Sakaq, dje u diskutuar edhe domosdoshmëria e përkthimit në gjuhën shqipe të literaturës së huaj, shkencore, bashkëkohore, e cila do të shërbejë si tekst për universitetet e vendit.
“Nuk më vjen mirë që mund të gjenden ende edhe tekstet e mia në Fakultetin e Mjekësisë. Shpresoj t’i kenë ripërtërirë. Të heqim dorë nga inkurajimi i shkrimit të teksteve, le të përkthejmë tekste. Nuk them me këtë se nuk duhet të shkruhen tekste në universitetet tona, por ne duhet të inkurajojmë përkthimin e teksteve më të mira botërore”, tha Kryeministri.
#