Paketa fiskale 2026, Ministri Malaj: Nuk do të ketë taksa të reja, prioriteti mbetet stabiliteti ekonomik

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të mbajtur sot në Kuvendin e Shqipërisë, ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi projektbuxhetin për vitin 2026 dhe paketën fiskale përkatëse.
Në qendër të diskutimeve ishin ruajtja e stabilitetit makroekonomik, rritja e mirëqenies së qytetarëve dhe garantimi i një klime të qëndrueshme për biznesin.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të qartë se qeveria nuk parashikon asnjë rritje të barrës fiskale për qytetarët apo bizneset.
Ai theksoi se nuk do të ketë as taksa të reja, duke garantuar vijimësinë e politikave të qëndrueshme.
Në fjalën e tij, Malaj deklaroi se ministria ka hartuar paketën fiskale për vitin 2026 dhe se vijimësinë e politikave të qëndrueshme.
Ai theksoi se këto politika janë të mundshme vetëm për shkak të qëndrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, duke deklaruar se “Vëmendja kryesore është tek qytetarët. Nuk do të mund t’i përkthenim këto politika në nisma nëse nuk do të kishim ekonomi të fortë, të qëndrueshme apo nëse nuk do të ruanim stabilitetin makroekonomik dhe fiskal.”
Duke folur për pritshmëritë ekonomike, Malaj tha se për vitin 2025 rritja ekonomike parashikohet të jetë 3.9% në terma vjetor, e mbështetur nga kërkesa e brendshme, konsumi privat, investimet dhe performanca pozitive e eksporteve të shërbimeve.
Ai vuri në dukje se turizmi mbetet një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare.
Një tjetër tregues i përmendur ishte papunësia, për të cilën ministri tha “Shkalla e papunësisë ka rënë në nivelin më të ulët historik, në 8.5% në tremujorin e dytë të këtij viti. Pjesëmarrja në forcat e punës është rritur më tej duke arritur në 75.7%, dhe norma e punësimit në 68%. Këta tregues dëshmojnë se ekonomia jonë krijon më shumë mundësi punësimi dhe po bëhet më tërheqëse për fuqinë punëtore.”
Në vijim, Malaj garantoi se nuk do të ketë rritje të barrës fiskale për qytetarët dhe bizneset. Ai deklaroi se “Ministria ka hartuar dhe paketën fiskale 2026. Nuk do të kemi rritje të taksave. Nuk do të kemi taksa të reja në vitin 2026.”
Ai shtoi se paketa përfshin disa masa të reja që synojnë mbështetjen e sektorëve të caktuar, duke përmendur se “Mund të përmend disa nga po-të, siç është skema e fermerëve, kompensimi deri në 10 përqind, rivlerësimi i pasurive të paluajtshme. Norma 5 përqind do të aplikohet gjatë vitit 2026.”
Sa i përket shpenzimeve të planifikuara, Malaj bëri të ditur se ato do të arrijnë në 886.7 miliardë lekë. Ai e cilësoi projektbuxhetin si një kontratë të qeverisë me qytetarët, duke theksuar, “Projektbuxheti 2026 është kontrata e qeverisë me qytetarët. Ky projektbuxhet është hap para në programin e qeverisë, që synon 886.7 miliardë lekë. Fokusi do të jetë te mirëqenia sociale, ndihma për investime në infrastrukturë më moderne, përsosja e sistemeve digjitale, zhvillimi i energjisë së gjelbër dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.”
Në fjalën e tij, ministri njoftoi gjithashtu se nga 1 janari 2026 do të nisë zbatimi i rritjes mujore të pensioneve, ndërsa për administratën publike do të aplikohet indeksimi i pagave çdo dy vjet. Ai theksoi se vëmendja kryesore do të jetë te qytetarët.
Në fund, Malaj bëri të ditur se projeksionet e të ardhurave tatimore për vitin 2026 parashikojnë një rritje prej 51.7 miliardë lekësh në arkën e shtetit, si rezultat i rritjes së konsumit dhe përmirësimit të administrimit fiskal.
/rtsh.al/