“Të flasësh është forcë”, aktivitete nga nxënësit në Gjirokastër për shëndetin mendor

“Nuk je vetëm”. Me këtë slogan nxënësit e gjimnazit “Siri Shapllo” në Gjirokastër, organizuan aktivitetin “Të flasësh është forcë” i cili erdhi në kuadër të ditës së shëndetit mendor.
Gjatë këtij organizimi të rinjtë theksin e vendosën te rëndësia që ka të folurit rreth problematikave të shëndetit mendor, duke u shprehur se stigma nuk duhet të ekzistojë.
“Vitet e fundit mendoj se është shtuar shumë stigma rreth shëndetit mendor. Mendoj se të rinjtë kanë shumë probleme me të folurin”, u shpreh një nxënëse.
Mesazhet për këtë ditë u përcollën përmes dramatizimeve, monologëve të cilat u shoqëruan edhe me pjesë muzikore të interpretuara prej tyre.
“Ky aktivitet është bërë me rastin e ditës Botërore të Shëndetit Mendor, por shkolla jonë vendosi ta trajtoi si një muaj të plotë pasi kauza e saj është shumë e rëndësishme për trajtimin dhe ndërgjegjësimin”, tha një nxënëse tjetër.
Kjo ditë është përcaktuar nga OBSH si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor në mbarë botën.
Gazetare: Y.Ponde
/rtsh.al/