E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakistan: Komandot lirojnë 39 pengje, duke i dhënë fund një rrethimi 22 orësh

Në Pakistan, komandot hynë me forcë në një ndërtesë pranë selisë së ushtrisë, duke i dhënë fund një rrethimi 22 orësh në Ravalpindi, afër kryeqytetit Islamabad.

Ushtria njoftoi sot se komandot vërshuan në ndërtesë para agimit dhe liruan 39 pengje, që mbaheshin nga ekstremistët që nga dje në mëngjes.

Zëdhënësi i Ushtrisë Major Gjeneral Athar Abas tha se tre pengje u vranë gjatë operacionit të shpërtimit bashkë me katër militantë dhe dy ushtarë. Një militant tjetër i plagosur u kap.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton tha sot se megjithë kërcënimin që përbëjnë militantët në Pakistan, nuk ka prova se ata po përpiqeshin të mernin nën kontroll shtetin. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara janë të bindura se Pakistani ka nën kontroll arsenalin e tij bërthamor.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Miliband, I cili u takua në Londër me Sekretaren Klinton, tha në një konferencë shtypi se nuk janë dhënë prova, publikisht apo privatisht, të ndonjë kërcënimi ndaj qendrave bërthamore të Pakistanit.

Persona të armatosur me uniforma ushtarake sulmuan selinë e ushtrisë dje duke vrarë 6 ushtarë gjatë një beteje në portën kryesore.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Por autoritetet e Pakistantit kanë denuar Talebanin dhe janë zotuar se do të fillojnë një ofensivë të re kundër militantëve në veriperëndim të vendit.   (ze)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›