Kur edhe Paskal Milo e Skënder Gjinushi protestojnë për vjedhjen e votave të hajdutit të votave të tyre

Në vend të një analize se ç’kanë thënë, ç’thonë dhe çdo të thonë në të ardhmen krerët humbës të PSD-së dhe PDS-së
Protesta e dy ditëve më parë e PS-së, në pretekstin e hapjes së kutive të votimit dhe rinumërimit të votave, demonstroi më shumë se çdo gjë, rrugën pa krye ku është zhytur jo vetëm PS-ja, por edhe pjesa tjetër e opozitës, saktësisht PSD-ja dhe PDS-ja. Në fakt, krerët e partive aleate të PS-së, respektivisht Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo, me lëvizjet e tyre kaotike, të tipit “me drejtim nga fryn era”, më tepër se janë zhytur në një rrugë pa krye, që pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, janë zhytur edhe më, në batakun që ka krijuar PS-ja. Kjo zhytje në këtë batak, është e dukshme dhe e krahasueshme, nga qëndrimet e tyre, pak ditë pas zgjedhjeve, qëndrim që pësoi një ndryshim kahu, pas pretekstit të Edi Ramës se i kishin vjedhur votat. Deri në këtë ankesë në formë preteksti të Edi Ramës, kishin qenë Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo që akuzonin Edi Ramën si hajdutin e vjedhjes së votave të partive të tyre dhe qëllimin e tij, për lënien e tyre jashtë parlamentit... Ndërsa më pas, Skënder Gjinushi e Paskal Milo harruan që hajduti Edi Rama ju kishte vjedhur votat dhe u bashkuan me atë. Tashmë ata ankohen e qurraviten bashkë me Edi Ramën, për vjedhjen e votave të hajdutit të votave të tyre...
Me këtë logjikë të Skënder Gjinushit dhe Paskal Milos, është e pakuptueshme, se sa herë u janë vjedhur votat këtyre dyve. Sepse një herë ankohen se Edi Rama ju vodhi votat dhe më pas, u bashkuan me Edi Ramën dhe ankohen tashmë se sërish ju kanë vjedhur votat, biles edhe ato vota që ju kishte vjedhur hajduti Edi Rama...
Për se atëherë i bie të ankohen këta tani, për votat që ju vodhi Edi Rama, apo për votat që nuk ua ruajti Edi Rama?
As më shumë e as më pak, Edi Rama ka demonstruar së fundmi, se më i pushtetshëm është te pjesa tjetër e partive të koalicionit, se sa në PS, ku tek-tuk edhe mund të dëgjosh ndonjë zë kundër tij. Ndërsa, sa për krerët e partive aleate, Skënder Gjinushi e Paskal Milo, që tashëm ankohen për votat që i vodhën hajdutit të votave të tyre, nuk besohet se di ndonjë, një mënyrë tjetër të sjelluri ndryshe nga kjo “lëpirje” që kreu i PSD-së dhe PDS-së, i bëjnë kreut të PS-së...
Paskal Milo
Paskal Milo, kryetari i Partisë Demokracia Sociale (PDS), ka qenë zëri i parë, i cili vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, akuzonte Edi Ramën si fajtori i humbjes së zgjedhjeve, organizuesi i një skenari ogurzi, sipas të cilit u regjistrua dështimi i së majtës në këto zgjedhje. “I kam bërë disa SMS Ramës, për keq menaxhimin e fushatës zgjedhore, por përgjigjja e tij ishte se çfarë janë këto budallaqe. Edi Rama dështoi të ndërtojë një koalicion serioz dhe të orientuar për fitoren në zgjedhje. Nuk kishte një frymë, një synim. Ne duhet të bënim fushatën bashkë, si koalicion në tërësi dhe jo të synoheshin kabotazhet brenda koalicionit, për të larguar nga parlamenti partitë e vogla”, shprehej Paskal Milo për mediat vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të 28 qerhsorit 2009.
Jo vetëm kaq, por kreu i PDS-së këmbëngulte se kishte mbetur i zhgënjyer nga bashkëpunimi me socialistët dhe se PS-ja i kishte vjedhur votat.
Për Paskal Milon, në ditët e para të konfirmimit të konfigurimit të ri politik, nuk kishte asnjë dyshim se PS-ja por edhe koalicioni “Bashkimi për Ndryshim”, kishin pësuar dështim në zgjedhjet e 28 qershorit. Jo vetëm kaq, por ai parashikonte edhe fatin e Edi Ramës, i cili për Paskal Milon ishte “humbës”.
“Fati i Edi Ramës në këto zgjedhje, u përcaktua më 28 qershor, është në radhën e humbësve”, shprehej Milo, ende pa u mbushur “të shtatat” e humbjes së radhës të PS-së dhe koalicionit të saj.
Në analizën e tij, Paskal Milo ndërsa identifikonte autorët e humbjes, nuk kursente as shkaqet e kësaj humbje të opozitës, ndër më kryesoret sipas të cilit ishin filozofia e lidershipit dhe kryetarit të PS-së dhe Kodi Zgjedhor.
“Autorët kryesorë të disfatës tonë elektorale duhen kërkuar te lidershipi i PS-së, nuk po flas vetëm për kryetarin e PS-së që padyshim, është përgjegjësi kryesor për shkak dhe detyrës që ka, por edhe për shkak të filozofisë së tij, për shkak të ideve të tij që nuk mund të gjenin terren për një Shqipëri të tillë, si kjo që kemi ne, për shkak se ai inkurajoi njerëz të cilët stimuluan nga etja e tij e madhe e qëndrimit të pushtetit i dhanë me qëllim formula të tilla të cilat do ta çonin PS-në në humbje, vetëm që ato të shpëtonin disa mandatë për veten e tyre. Ajo që ka shumë rëndësi është që Partia Socialiste duhet të zhvishet nga mentalitetit e gabuara që ka trashëguar dhe që i ka zhvilluar këto vite dhe që nuk e lejojnë atë të shikojë përtej humbjes së saj”, shprehej më tej humbësi Paskal Milo.
Në këtë kontekst, Paskal Milo, është shprehur edhe kundër bojkotit të Parlamentit, nga ana e PS-së. Biles këtë qëndrim, Milo e bënte publik deri edhe më pak se një muaj më parë.
“Partia Socialiste, si partia më e madhe opozitare në Shqipëri, mban përgjegjësi nëse e lë vendin pa një qëndrim opozitar institucional në këto momente kur opozita duhet më shumë. Nuk ka qeveri që të ndihet më komode kur ka larg institucioneve opozitën, vetëm me deklarata indirekte për hyrjen në kuvend, deklarata që lidhen me plotësim të kushteve për hetim dhe transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit”, shprehje Paskal Milo jo më larg se mesi i shatorit të këtij viti.
“I moderuar” në qëndrimin e tij, Paskal Milo e vlerësonte koalicionin PD-LSI, si “normalitet demokratik”.
“Politika ka arritur në një fazë të atillë që t’i shikojë kombinacionet politike një normalitet demokratik. LSI është një lëvizje pragmatiste dhe kjo marrëveshje ishte një lëvizje politike për të ardhur në pushtet pas një konsumimi 4-vjeçar në opozitë, por edhe e imponuar nga përplasjet e mëdha mes të majtës“, shprehej në të njëjtën deklarim të tij, Paskal Milo, diku nga mesi i muajit shtator të këtij viti.
Paskal Milo ka qenë po ashtu, i pari politikan, drejtues i një force politike, të rikonfirmuar në opozitë, që ka kërkuar reformimin e së majtës, duke mos përjashtuar në këtë “mision” edhe rolin e liderit historik të së majtës, Fatos Nanos.
“Është e mundshme që Nano, të vijë në krye të së majtës shqiptare për të reformuar të majtën në tërësi”, shprehej Paskal Milo, pas humbjes së zgjedhjeve, duke shpërndarë receta për reformimin e opozitës.
Skënder Gjinushi
Skënder Gjinushi, kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD) është një politikan që ka mbijetuar në politikë falë faktit se llogaritë e ti prej matematicieni, i kanë dalë gjithmonë, paçka se këtë radhë ia futi një piktor.
E pra, ky Skënder Gjinushi, shumë më shpejt se data e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, fliste me siguri për fitoren e të majtës, biles për një fitore optimale, që nuk do të kishte nevojën e LSI-së, e për pasojë as edhe për një bashkëqeverisje të mundshme me LSI-në.
“Por, meqë dihet që LSI nuk hyn me PS-në bashkë për arsye tashmë të njohura, atëherë LSI do të hyjë më vete dhe atëherë varianti i dytë është që; PS meqë do të fitojë zgjedhjet, duhet të optimizojë rezultatin e PS-së me aleatët, për të mundur kundërshtarin, i cili do grupohet, pra PD-ja do i mbledhë të gjithë aleatët”, fliste për fitore dhe qeverisjen pa LSI-në Skënder Gjinushi, në një intervistë të tij në një gazetë të përditshme, më se një vit më parë, saktësisht në 1 gusht 2008.
Dëshira e Skënder Gjinushit për fitoren e së majtës që ndodhej nën ombrellën e PS-së dhe për qeverisje pa LSI-në, paçka se nuk u realizuan në 28 qershor 2009, nuk e penguan atë që të çudiste të gjithë duke e nxjerrë rezultatin e zgjedhjeve pa fitues, por me dy humbës.
“Zgjedhjet e 28 qershorit i humbi e majta dhe Sali Berisha”, deklaronte Skënder Gjinushi pak ditë pas zgjedhjeve të 28 qershorit të këtij viti, duke mos i bërë askujt të ditur, se ku e fuste veten dhe partinë e tij, të humbësit, apo te fituesit.
Me gjithë shkanë e tij për dy humbës dhe asnjë fitues, kreu i PSD-së Skënder Gjinushit, jo vetëm që e njihte humbësin por kishte arritur të zbulonte edhe shkakun e humbjes, sipas të cilit ishte mosfunksionimi i koalicioni “Bashkimi për Ndryshim”.
Sikur të ishte vetëm mosfunksionimi i koalicionit, arsyeja e humbjes së PS-së, Skënder Gjinushit dhe PSD-së në zgjedhje, do të ishte gjysma e së keqes. Por puna ndryshon paksa, kur kreu i PSD-së, akuzonte PS-në se vodhi votat partisë së tij.
“PS-ja sulmoi PSD-në dhe jo PD-në”, deklaronte Skënder Gjinushi pak ditë pas zgjedhjeve më të fundit Parlamentare në Shqipëri
Skënder Gjinushi, biles shkoi edhe më tej, kur nuk la pa adresuar akuza në drejtim të Edi Ramës, për dështimin e thellë të së majtës në zgjedhjet e 28 qershorit dhe për atë se PS, krahas vjedhjes së votave, kishte ndërmarrë edhe një proces shkatërrimi për partitë e tjera të kampit të majtë.
“Edi Rama dhe PS-ja na vodhën votat dhe implementuan një strategji shkatërruese për partitë e vogla, specifikisht PSD-në”, denonconte Skënder Gjinushi, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Me gjithë mllefin ndaj Edi Ramës, për vjedhjen e votave dhe për strategjinë shkatërruese ndaj partive aleate të PS-së, Skënder Gjinushi, duke mbivlerësuar forcën e partisë së tij, nuk ka kursyer përcaktimin, mbivlerësues për veten, sipas të cilit PS-ja asnjëherë nuk do të mund të fitojë zgjedhje te vetme.
“Ne nuk kemi problem ndryshimin e emrave në PS. PS-ja nuk ka mësuar deri më sot të sillet me aleatët dhe të ndërtoj aleanca, duhet të bëhet ky lloj reflektimi sesa ndryshimi i emrave. PS-ja nuk mund ti fitoj zgjedhjet e vetme”, pranonte humbjen, bashkë edhe me paralajmërimin për PS-në, Skënder Gjinushi, kreu i PSD, gjithmonë pak ditë pas zgjedhjeve të fundqershorit të këtij viti.
Jo vetëm kaq, por Skënder Gjinushi, bënte në një intervistë tjetër të tijën në një tjetër gazetë të përditshme edhe një analizë, të të tjerave shkaqeve të vërteta të humbjes së opozitës së drejtuar prej Edi Ramës. Sipas kësaj analize, një nga arsyet, apo një nga shkaqet e humbjes, lidhej me mosllogartitjen siç duhej të “formulës” së fitores
“Ne, duke ditur sistemin dhe kushtet në të cilat zhvilloheshin zgjedhjet dhe duke ditur lojën e LSI-së, e cila jo se deshëm ne, por dihej që ishte një parti e dyzuar, për të mos thënë një mashë e Berishës, që ishte e detyruar të shtirej deri në fund si e majtë, pasi vetëm kështu mund të fitonin, atëherë, në këtë situatë, patjetër që duhet të dilnim forcë e parë. Pra, atëherë llogaritë duhet të bëheshin në këto rrethana. Në këto kushte, grupimi PS-PSD, pra, ‘Bashkimi për Ndryshim’, nuk i bëri llogaritë e duhura për të arritur fitoren e vet. Ne si PSD nuk kemi menduar kurrë që ky koalicion mund të kapë 71-72 deputetë vetëm, por ishim të bindur që ai mund të dilte si forcë e parë, gjë që nuk ndodhi për 10-5 mijë vota”, shprehej gjithë sinqeritet Skënder Gjinushi në intervistën e tij të datës 21 gusht, në një të gazetë përditshme.
Në analizën e tij, të mëtejshme të shkaqeve të humbjes së PS-së, sikurse edhe para zgjedhjeve, Skënder Gjinushi nuk ka harruar të rendisë LSI-në dhe Ilir Metën.
Skënder Gjinushi deklaronte pas zgjedhjeve të 28 qershorit se, “e majta humbi pasi pazarxhiu Meta u shit”.
Ndërkohë, para zgjedhjeve, shumë para, më se një vit para 28 qershorit 2008, Skënder Gjinushi shprehej i sigurt për fitoren optimale të së majtës, që nuk do t’ia kishte nevojën LSI-së. Tani, edhe ca më shumë se më se në vit më parë, Skënder Gjinushi fajëson LSI-në, pse me një koalicion të pamundur me PS-në, do të mundësonte të paktën që opozita të pretendonte për një barazim 70 me 70, ndryshe nga ëndrrat që shihte Skënder Gjinushi për formula me nxjerrje të LSI-së nga skena politike...