Në Vlorë promovohet romani “Qëndresa, si formë kundërshtimi”, e shkrimtarit Eden Babani
Shoqata Kombëtare e të Përndjekurve Demokratë promovoi dje në qytetin bregdetar të Vlorës, librin kushtuar dy figurave të këtij qyteti, ish-të përndjekurve politikë, Burim Kokoshi dhe Kliton Lamaj. Për 40 vjet me radhë, Shkrimtari Eden Babani ka punuar mbi veprën e tij monografike “Një birrë më pak”, kushtuar dy ish-të përndjekurve nga qyteti historik. Në ceremoninë e rastit, morën pjesë Simon Miraka, Drejtor i Institutit Kombëtar për Integrimin e Ish-të Përndjekurve Politikë, Agron Sharra, Kryetar i qarkut Vlorë si dhe shumë bashkëvuajtës dhe ish-të përndjekurve nga diktatura komuniste në Shqipëri. Reshat Kripa, Kryetar i shoqatës së të përndjekurve Demokratë, dega Tiranë, e hapi takimin emocional duke thënë: “Një birrë me pak” është nje kuptim me i qartësuar i fjalës së shkruar për ngjarjet qe pësoi vendi ne 50 vitet e shkuara. Romani i Eden Babanit është një krijim i shtrire ne nje hapësire kohore 40 vjeçare, një krijim i mirëfilltë artistik i shkruar me ndjenje me shije e lirizëm. Në të pleksen ndodhi dhe histori të vërteta me një ndërthurje në kohë dhe në hapësirë. Eden Babani vjen në letrat shqipe me një krijim të plotë në gjininë e romanit. Shkrimtari, në të gjithë krijimin e vet ka përdorur një fjalor të pasur duke ruajtur mirë të folurën qytetare vlonjate. Një lexim i vëmendshëm te rikthen në kohën e shkuara me ngjarjet, vendet, njerëzinë, birucat kolektive, degët e sigurimit, e mjedise të tjera që sot nuk ekzistojnë por kanë mbetur si një një rrëfim i trishtë”.
Shkrimtari dhe poeti Pandeli Koçi mbajti referatin “Paradigma e lirisë shpirtërore nën hijen e diktaturës”, ku ndër të tjera tha: “Shkrimtari dhe publicisti Eden Babani e ka nisur krijimtarinë letrare që në fillim të viteve 60, por për shkak të biografisë nisi të botojë në vitet ‘90. Subjekti i këtij romani është i vendosur në Vlorën e viteve ‘60. Jeta e qytetit karakterizohet nga mungesa e variacionit dhe gjallërisë nga frymëmarrja azmatike nën hijen e frikës dhe të propagandës së shfrenuar për të krijuar iluzionin e nje jete të lumtur e perspektivën e ndritur. Mungesën e lirisë qytetare dhe shtypjen politike e ndjejnë sidomos të persekutuarit, njerëzit me bindje të ndryshme dhe me gjykim realist, sepse syri vigjilent i diktaturës vëzhgonte pandërprerë në rrugë, në ndërmarrje, brenda familjes, për të zbuluar çdo mendim, çdo fjalë, çdo veprim që binte ndesh me ideologjinë politike me qëllimet e pikësynimet e partisë-shtet. Studiuesi Izet Shehu mbajti referatin “Realja dhe trilli në romanin “Një birrë më pak”’, kurse Skënder Qëndro theksoi se libri i Eden Babanit zë një vend të veçantë në bibliotekat e çdo ish-të përndjekuri. Studiuesi Fahri Shaska, në fjalën e vet u ndal tek ndjesitë që krijohen, gjatë leximit të librit të Babanit, i cili na çoi në ato vite të zeza të rinisë. Një dëshmi të veçantë solli gjatë ceremonisë edhe Altin Kokoshi, djaloshi që përmendet në libër për heqjen flamurit me simbolet komuniste dhe vendosjen e flamurit shqiptar ditën e pavarësisë kombëtare. Në fund të ceremonisë, me dy fjalë zemre, autori Eden Babani ka rrëfyer odisenë e shkrimit të romanit, e cila nisi si një novelë kushtuar Klito Lamajt dhe Burim Kokoshit e përfundoi në një roman me shtrirje kohore 40 vjeçare dhe që zë një vend të veçantë në bibliotekën e tij personale