Pakistan, përplasje për emërimin e gjykatësve
Pakistani përballet me një tjetër pasiguri politike që ka të bëjë me emërimet në gjyqësor. Presidenti i vendit, Asif Ali Zardari nxori një urdhër ditën e shtunë duke emëruar kreun e Gjykatës Supreme dhe një gjykatës të Gjykatës së Lartë.
Por Gjykata Supreme e hodhi poshtë këtë vendim me argumentin se është anti-kushtetues. Presidenti i Pakistanit është në rrugë drejt përplasjes me gjyqësorin e vendit dhe nuk e ka për herë të parë. Përpjekja e presidentit Zardari për të emëruar dy gjykatës të rinj u bllokua nga Gjykata Supreme brenda disa orësh.
Gjykata tha se Zardari nuk ishte konsultuar lidhur me emërimet dhe kjo përbënte shkelje të kushtetutës. Zëdhënësi i Presidenti e ka mohuar këtë gjë, ndërkohë raundi tjetër i kësaj përplasjeje është 18 shkurti, kur qeveria do të argumentojë për çështjen në fjalë para gjykatës. Kjo përplasje e fundit është duke e rritur tensionin dhe ndjenjën e pasigurisë në vend. Ky zhvillim vjen vetëm dy muaj pasi Gjykata Supreme hodhi poshtë një amnisti që mbronte presidentin dhe politikanët e tjerë nga akuzat për korrupsion që daton që prej viteve 1980. Aleatët perëndimorë të Pakistanit mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë përplasje më të fundit, në një kohë kur ata kërkojnë që vendi të përqendrohet në luftën kundër Al Qaedës dhe Talibanit.