Pakistan, urdhërohet mbyllja e shkollave e universiteteve
Qeveria Pakistaneze ka urdhëruar mbylljen e shkollave dhe univeristeteve në mbarë vendin. Vendimi është marrë një ditë pas dy sulmeve kamikaze që u regjistruan në Universitetin Ndërkombëtar Islamik në kryeqytetin Islamabad. Si pasojë e sulmit humbën jetën të paktën 6 persona, duke e çuar bilancin e viktimave nga sulmet e militantëve vetëm gjatë këtij muaji, në 180 persona. Përgjegjësinë për sulmin në universitet e morën përsipër talebanët, ndërsa njoftuan se atentate të tjera pritet të ndodhin ën vend, derisa ushtria pakistaneze të përfundojë ofensivën e saj në rajonin fisnor të Vaziristanit të jugut. Pas sulmit, janë përforcuar masat e sigurisë në vend. Studentët dhe nxënësit shprehen se janë te tmerruar nga një situatë e tillë e dhunshme. Edhe civilët janë shumë të shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës ndërsa thonë se vrasja nuk bëhet në emër të zotit, ndaj duhet të hiqet dorë prej këtyre atetnateve vetëvrasëse. Atmosfera nëper auditore dhe territore shkollore është e zymtë, cilësojnë mediat e huaja, pasi shumë studentë janë larguar, ndërsa shumë të tjerë po përgatiten të evakuohen. Në universitetin ku ndodhi ngjarja, mësojnë rreth 12 000 studentë, shumica e të cilëve femra, por edhe shumë të huaj. Duke iu referuar sulmit të ndodhur të martën, kamikazja mbante veshur një uniformë vajzash dhe nën të, kishte lëndë eksplozive, ndërsa sulmi i dytë ndodhi në kampusin e meshkujve.