E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakistani dënoi pesë zyrtarë ushtarakë

Drejtësia pakistaneze ka dënuar me burgim pesë zyrtarë ushtarakë, për shkak të lidhjeve me një grup radikal islamik.

Në një deklaratë të ushtrisë thuhet se brigadieri Ali Khan, oficeri i rangut më të lartë në grup, është dënuar me pesë vjet heqje lirie.

Khan është arrestuar vitin e kaluar për lidhje të dyshuara me Hizbut Tahririn, një grup radikal politik, që dëshiron të ndërtojë një kalifat islamik në mbarë botën myslimane.

Ushtria nuk ka dhënë detaje se kur janë arrestuar katër të tjerët – që të gjithë majorë ushtarakë.

Hizbut Tahrir është i ndaluar në shumë vende myslimane, përfshirë Pakistanin, për shkak të thirrjeve të tij për rrëzimin e qeverive.

Grupi thotë se nuk e përkrah dhunën, por, sipas kritikëve, ai ka lidhje me organizatat militante dhe inkurajon të rinjtë që të radikalizohen.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›