E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakistani dhe Britania bashkë kundër terrorit

Lideri i grupit Lashkar-e-Toiba është vendosur në arrest shtëpie
Kryeministri britanik, Gordon Brown ka njoftuar një pakt me Pakistanin për të luftuar terrorizmin. Ai e bëri të ditur këtë marrëveshje pas bisedimeve në Islamabad me presidentin pakistanez, Asif Zardari. Pakti i ri përfshin edhe përpjekjet për të përmirësuar shkëmbimin e informacioneve dhe sigurinë në aeroporte. Më herët zoti Brown zhvilloi bisedime në Delhi, pas sulmeve në Bombej ku u vranë më shumë se 170 vetë në sulme, për të cilat India ka fajësuar militantët me bazë në Pakistan.
Sulmet në Bombej e përqëndruan vëmendjen tek kërcënimet që përbëjnë militantët islamistë me bazë në Pakistan. Në bisedimet në Dehli, zoti Brown e siguroi lidershipin indian se e kuptonte se sa serioze ishte situata. Ai e cilësoi grupin me qendër në Pakistan, Lashkar-e-Toiba si përgjegjës. Zoti Brown shkoi në Pakistan për të theksuar nevojën për veprim atje. Zoti Brown ka theksuar besimin e policisë britanike se një pjesë e madhe e komploteve për sulme që janë zbuluar, kanë lidhje në Pakistan. Ai zbuloi një marrëveshje të re mes Britanisë dhe Pakistanit për të luftuar këtë problem. Zoti Brown foli për masa konkrete, përfshirë edhe shkëmbimin më të mirë të informacioneve, përmirësimin e sigurisë në aeroporte dhe përpjekje për të luftuar përhapjen e ideologjive radikale.
Ai premtoi nëntëmilion dollarë për të paguar për këtë. Por ka nga ata që do të shqetësohen se kjo shumë nuk do të jetë e mjaftueshme për të bërë punën. Ata do të thonë se rrjetet militante në Pakistan i kanë rrënjët shumë të thella. Nga ana tjetër, shumë indianë besojnë se nuk ka vullnet politik apo kapacitet për të shfarosur grupe si Lashkar-e-Toiba. Udhëheqësi i saj është vënë në arrest shtëpie pas sulmeve të Bombejit.
Por ai është vendosur në arrest edhe përpara tensioneve të mëparshme në Indi dhe masa u hoq pa shumë zhurmë më vonë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›