E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakistani ndërpret bashkëpunimin me CIA-n

Pakistani ndërpreu përkohësisht bashkëpunimin mes agjencisë sekrete të Islamabadit dhe CIA-s, pas zemëratës që shkaktoi në vend vrasja e 2 pakistanezëve nga një agjent i CIA-s, në fillim të këtij viti.

Agjenti amerikan u arrestua menjëherë nga forcat e sigurisë pakistaneze, ndërkohë që marrëdhëniet me SHBA-në në fushën e bashkëpunimit sekret nuk janë më si më parë.

Në zyrtar i lartë i sigurisë pakistaneze, citohet nga CNN të ketë thënë se mes CIA-s dhe ISI (shërbimi sekret pakistanez) do të vazhdojë bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacioneve, por nuk do të ketë operacione dypalëshe.

ISI i ka kërkuar CIA-s të dhëna të sakta për agjentët e saj që operojnë në Pakistan. Të tillë agjentë, mendohet se janë rreth 40 që veprojnë për identifikimin dhe asgjësimin e anëtarëve të Al Kaedas.

Ngrirja e bashkëpunimit të tillë vjen në një moment delikat edhe në frymën e përgjithshme të marrëdhënieve mes dy vendeve e kur Pakistani ka kritikuar sulmet me raketa të telekomanduara të SHBA-së kundrejt terroristëve. Shpesh këto sulme kanë shkaktuar dhjetra civilë të vrarë.

Zyrtarët pakistanezë të sigurisë thanë se ky vendim i Pakistanit nuk është i përhershëm dhe se nuk ndikon tek sulmet me raketa të SHBA-së në zonat veri-perëndimore të Pakistanit, pasi këto sulme nuk ndërmerren me bashkëpunim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›