Egjipt, djemtë e Mubarakut në paraburgim

Dy djemtë e ish presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, ndodhen në paraburgim për të paktën 15 ditë në kuadër të një hetimi për korrupsion. Alaa dhe Gamal Mubarak janë marrë në pyetje nga prokuroria e shtetit për keqpërdorim fondesh dhe abuzim me pushtetin.
Menjeherë pas marrjes së informacionit, kanë nisur festimet . Siç bëhet e ditur, dy vëllezërit janë dërguar në burgun e Tora-s në Kairo.
Ndalimi i tyre u bë pasi u konfirmua se Mubaraku gjendet në spital për shkak të një ataku kardiak. 82 vjeçari u sëmur ndërsa po merrej në pyetje për vrasjen e qindra protestuesve dhe për akuzat për korrupsion.
Aktualisht ish presidenti egjiptian është në terapi intensive dhe gjendja e tij është e qëndrueshme.
Lajmi është bërë i ditur nga televizioni shtetëror. Spitali ku është shtruar Mubarak ndodhet në Sharm el Sheikh, ku ai jetonte qe prej përmbysjes nga posti i presidentit. Hosni Mubarak, 82 vjeçar, është tërhequr më 11 shkurt, pas kryengritjes popullore kundër regjimit të tij.
Edhe para se të largohej nga posti, Mubarak ishte shfaqur probleme shëndetësore. Mubarak, mbush 83 vjeç në 4 maj.