Pakistani, peticion SHBA për dronët

Një delegacion i lëvizjes pacifiste amerikane, Code Pink, i ka dorëzuar ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Islamabad një peticion.
Bëhet fjalë për një peticion të nënshkruar nga 3 mijë personalitete amerikane, në të cilin kërkohet ndërprerja e aksioneve me avionë të telekomanduar nga CIA në zonat tribale pakistaneze.
Lajmin e bën të ditur e përditshmja “The Express Tribune”. Mes firmëtarëve të letrës ka intelektualë, shkrimtarë dhe regjisorë, mes të cilëve Noam Chomsky, Oliver Stone, Naomi Wolf dhe Alice Walker.
Sulmet me avionë të telekomanduar, të njohur ndryshe si dronë, mendohet se kanë vrarë qindra militantë në Jemen, Afganistan dhe Pakistan.
Në një nga sulmet më të egra, liderët tribalë dhe tregtarë të vegjël të zonave në fjalë ishin mes 40 personave të vrarë kur dy dronë sulmuan një makinë ku po udhëtonin katër militantë në Data Khel, në Uaziristanin Verior.
Ngjarja ndodhi në mars të vitit 2011, ndërkohë që në qershor të këtij viti një lider i vjetër i Al Kaedës, Abu Yaha al Libi u vra në një sulm të ngjashëm.