E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakoja me armë u zbulua nga skanerat e Rinasit

Personazhi i dyshuar për trafik ndërkombëtar armësh Agim Shëngjoni, ka përdorur emër të rremë për të nisur nga Holanda drejt Shqipërisë pakon postare me pesë pistoleta.

 Ky është versioni i policisë së Tiranës, për autorësinë e dërgesës së pakos, që pritej të merrej nga 31-vjeçari në postën e qytetit të Elbasanit ditën e enjte. Lajmi konfirmohet nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, sipas të cilës Agim Shëngjoni ka përdorur gjeneralitete të rreme për dërgesën e pakos postare nga qyteti i Amersfurtit në Holandë. Në kolinë e pakos postare të që duhej të merrte Agim Shëngjoni, ishte shkruar emri i Artur Dejës, si dërgues i pakos. Gjatë ditës së djeshme, hetuesit e Zyrës së Antitrafikut kanë zbuluar mashtrimin me emrin e dërguesit, që sipas tyre ishte përgatitur nga vetë pritësi i pakos Agim Shëngjoni. Ai menjëherë sapo ka nisur pakon postare, ka urdhëruar në drejtim të Shqipërisë për të pritur atë dhe për të marrë pistoletat. Një fakt i tillë, sipas burimeve të policisë është konfirmuar edhe nga ekspertët kriminalistë, që kanë verifikuar formën grafike të shkrimit të dërguesit. Verifikimet e tjera të kryera nga policia dhe nga deklarimet e marra personave me dijeni mbi mbërritjen e kolisë postare nga Holanda, konfirmohet se emri i përdorur si dërgues i pakos ka qenë i rremë dhe vetëm sa për të humbur gjurmët e krimit. Destinacioni i armëve bashkë me fishekët e tyre, sipas burimeve të policisë dyshohet se, mund të ishte një grup kriminal në qytetin e Elbasanit. Kjo për shkak se armët kishin edhe një sasi municioni të konsiderueshëm që dyshohet se, ishte vendosur për t'u përdorur nga personat që do blinin armët. Agim Shëngjoni, 31 vjeç, nga Elbasani, banues në lagjen "Kala", u arrestua mesditën e të enjtes në postën e qytetit, ndërsa priste të merrte pakon me pistoleta që kishte nisur nga Holanda. Policia kishte organizuar operacionin për ndalimin e Agim Shëngjonit, i cili u arrestua në flagrancë para se të merrte pakon dhe të largohej. 
Hetimi
Prokuroria e krimeve të Rënda, e cila drejtoi operacionin për kapjen e pistoletave dhe arrestimin e trafikantit të tyre, konfirmoi dje se Agim Shëngjoni kishte mbërritur në Shqipëri vetëm pak ditë më parë. Ai mësohet se ka hyrë në vendin tonë nga porti i Durrësit dhe menjëherë është nisur për në Elbasan, ku priste të merrte pakon postare bashkë me pesë pistoletat. Mirëpo sasia e madhe e armëve dhe municioneve të vendosura në pako, ka nxjerrë një problem në Aeroportin e Rinasit. Pas mbërritjes së pakos aty, dyshimi i parë ka qenë nga pesha e madhe e saj. Gjithçka është konfirmuar kur pakoja kaloi në skanerin e Aeroportit të Rinasit, i cili zbuloi materialet e ndaluara në pakon postare. Çështja më pas është marrë në dorë nga policia, e cila ka lajmëruar Prokurorinë e Krimeve të Rënda si organin kompetent për hetimin e trafikut të armëve. Prokuroria ka vendosur të organizojë një operacion me "dorëzim të kontrolluar". Në këtë mënyrë është vendosur që pakoja të lejohet të vazhdonte rrugën e saj deri tek marrësi. Nga ana tjetër, organi i akuzës ka marrë masat që pritësi i pakos të arrestohej në flagrancë, para se të merrte kutinë postare dhe të largohej. E gjitha kjo ndodhi në postën e qytetit të Elbasanit kur policia arrestoi Agim Shëngjonin teksa po merrte pakon postare që vetë ai kishte nisur nga Holanda pak ditë më parë.       t.s/d.b

Hetim për blerësit e pistoletave

TIRANE - Arrestimi i personit që dërgoi pistoletat nga Holanda dhe më pas erdhi në Shqipëri për t'i pritur ato, duket se tashmë i ka hapur rrugë hetimeve për zbulimin e personave që do t'i blinin armët. Sipas dyshimeve të policisë, pistoletat ishin porositur nga një grup kriminal, që besohet se do t'i përdorte ato për kryerjen e disa krimeve. Gjithsesi, ky është një version hetimi në verifikim e sipër, ndërsa policia dhe Prokuroria janë përqendruar në marrjen e deklarimeve nga personi i arrestuar. Lidhur me këtë person janë kërkuar të dhëna edhe nga autoritetet e Holandës për të verifikuar, nëse ai ka pasur precedentë penalë gjatë qëndrimit të tij atje. Sipas burimeve hetimore i arrestuari ka qëndruar pa dokumente në Holandë, ndërsa vetëm pak ditë më parë kishte mbërritur në Shqipëri, me qëllim që të merrte dërgesën postare me pistoletat që kishte nisur prej andej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›