E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Gati kërkesa për ekstradimin e Zylfie Haklajt

TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Drejtësisë po përgatisin kërkesën për ekstradimin nga Suedia të Zylfije Haklajt, e cila u arrestua të mërkurën, në qytetin e Goteborgut, në Suedi.

Kërkesa për ekstradimin e saj po përgatitet nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila po mbledh provat kryesore kundër të dënuarës si dhe vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila ndëshkoi të kërkuarën me 25 vjet heqje lirie. Sipas burimeve të akuzës qendrore, kërkesa për ekstradimin, së bashku me materialet procedurale të dosjes, do t'i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Jashtme për t'ia përcjellë me pas autoriteteve suedeze. Zylfije Haklaj, 45 vjeçe, nga Tropoja, figuronte në listën e 10 personave më të kërkuar nga Zyra Kombëtare e Interpol Tiranës. Ajo është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, pasi akuzohet për veprën penale të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje. Gjykata e Tiranës në vendimin e saj e ka deklaruar fajtore dhe e ka dënuar Zylfie Haklajn, me 25 vjet burg për vrasjen me armë zjarri për motive hakmarrjeje të Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit, më 2 prill 2002 në qytetin e Tropojës. Si pasojë e të shtënave me armë nga e dyshuara, mbetën të plagosur edhe Izet Dusha dhe Hysen Biberaj, të cilët ndodheshin fare pranë viktimave që gjetën vdekjen në këtë atentat. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, 45-vjeçarja, Zylfie Haklaj, u arrestua nga policia e Goteborgut në Suedi, në bashkëpunim me agjentët e Interpol Tiranës. Në Suedi, sipas policisë, Zylfie Haklaj ka vënë në përdorim emra të ndryshëm për t'iu shmangur ndjekjes dhe arrestimit nga autoritetet policore dhe ato të drejtësisë. Prokuroria vendase, e cila mbron në gjykatë kërkesën shqiptare për ekstradimin e Zylfie Haklajt, tha se Shqipëria duhet të argumentojë ekstradimin e Zylfie Haklajt në Tiranë. Ndërkaq një tjetër variant i dhënë pas arrestimit të Zylfie Haklajt në Suedi ishte se, ajo ishte paraqitur me dëshirën e saj pranë autoriteteve dhe kishte bërë një kërkesë për azil politik. Pasi kishte bërë këtë aplikim, strukturat e policisë kishin zbuluar identitetin e vërtetë të 45-vjeçares dhe faktin se, ajo ishte në listën e personave të kërkuar nga Interpol Tirana. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›