E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj zëvendëson Rusmalin

Xhafaj në Komisionin e Ligjeve

Ndonëse Partia Demokratike dhe Partia Socialiste nuk kanë arritur ende konsensusin për zgjidhjen e krizës politike, duket se besimi te njëra-tjetra nuk u ka humbur ende. Kjo u pa dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, kur atë e drejtoi nënkryetari socialist i Komisionit, ish-ministri i Drejtësisë i PS-së, Fatmir Xhafa. Për shkak të një angazhimi me punë jashtë shtetit, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, nuk ishte i pranishëm, por kjo nuk e ka penguar Komisionin të zhvillojë seancën e radhës dhe të miratojë një marrëveshje me Austrinë për Gjendjen Civile. Mungesa e kryetarit duket se i ka mobilizuar të gjithë deputetët e Partisë Demokratike të ishin të pranishëm në mbledhje, ndonëse ajo, si çdo herë, fillon në orën 09:00. Në këtë mbledhja, e cila nuk zgjati më shumë se pesë minuta, që në fillim të saj ishte deputeti i PS-së, Bashkim Fino, që përmes batutës kërkoi që ajo të mos niste. Unë them që të mos e nisim fare mbledhjen pa kryetarin (Rusmalin), nuk na shijon ajo, tha Fino. Por Xhafa duket se nuk e dëgjoi sugjerimin e kolegut të tij dhe menjëherë ia kaloi fjalën drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Armand Teliti, për të folur për marrëveshjen me Austrinë. Pas prezantimit të drejtorit, Xhafa, në pozicionin e kryetarit të Komisionit, u kërkoi deputetëve të bënin pyetje ose diskutime. Kush ka pyetje? Diskutime ka? Spaska as diskutim. I keni të qarta. E hedhim në votë, kush është dakord? Kundër ka? Jo! Miratohet, tha Xhafa. Deputetët e PD-së votuan të gjithë pro marrëveshjes, ndërsa ata të PS-së nuk morën pjesë në votim. Sot, me frikë kishin ardhur të gjithë deputetët e PD-së, por mirë u doli, shtoi më tej kryetari i Komisionit, duke iu referuar faktit se të gjithë deputetët e maxhorancës ishin të pranishëm në mbledhjen e djeshme. Por, pas këtij votimi, duket se ndryshoi mendje edhe deputeti Bashkim Fino, i cili në fillim të mbledhjes kishte kërkuar të mos bëhej ajo pa ardhur Ilir Rusmali. Teksa mori fjalën për procedurë, Fino i bëri një tjetër kërkesë Fatmir Xhafës. Unë mendoj, zoti nënkryetar, që ta drejtosh ti ngahera mbledhjen dhe arsyeja e di cila është? Se këta janë shumë të rregullt, vijnë të gjithë në rresht për një. Kur drejton Rusmali, i plas buza se nuk vijnë këta. Ca vijnë, ca nuk vijnë. Drejtoje ti që të vijnë këta, u shpreh Fino. Këtë herë reaguan edhe deputetët demokratë, të cilët e lidhën situatën e krijuar në Komisionin e Ligjeve me konsensusin e madh mes dy partive për krizën politike. O Bashkim, nuk mund ta drejtojë Xhafa se do të thonë që kanë arritur konsensusin pastaj, iu drejtua Finos deputetja Mesila Doda. Megjithatë, sipas ish-kryeministrit, mungesa e Rusmalit i vuri të gjithë në rresht deputetët demokratë.

Marrëveshja me Austrinë
Mirëmbajtja dhe mbështetja operacionale është një proces shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e sistemit online të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Për vetë kompleksitetin e këtij sistemi kërkohet një suport i vazhdueshëm nga pala austriake për periudhën në vazhdim. Kjo mbështetje operacionale do të sigurojë një funksionim të butë të sistemit dhe do të shoqërohet me transferimin e njohurive nga pala austriake në palën shqiptare, thuhet në Marrëveshjen e firmosur mes Shqipërisë dhe Austrisë.

Batutat në Komisionin e Ligjeve
Bashkim Fino:
Unë them që të mos e nisim fare mbledhjen pa kryetarin (Rusmalin). Nuk na shijon ajo.
Fatmir Xhafa: Hapim mbledhjen, ftojmë përfaqësuesin e Gjendjes Civile të flasë për marrëveshjen me Austrinë.
***
Fatmir Xhafaj: Kush ka pyetje? Diskutime ka? Spaska as diskutim. I keni të qarta. E hedhim në votë. Kush është dakord? (Votojnë pro të gjithë deputetët e PD). Kundër ka? Jo! Miratohet. Sot me frikë kishin ardhur të gjithë deputetët e PD-së, por mirë u doli.
Bashkim Fino: Kam diçka për procedurë.
Fatmir Xhafaj: Për procedurë mbaroi.
Bashkim Fino: Unë mendoj, zoti nënkryetar, që ta drejtosh ti ngahera mbledhjen dhe arsyeja e di cila është? Se këta janë shumë të rregullt, vijnë të gjithë në rresht për një. Kur drejton Rusmali, i plas buza se nuk vijnë këta. Ca vijnë, ca nuk vijnë. Drejtoje ti që të vijnë këta.
Mesila Doda: O Bashkim, nuk mund ta drejtojë Xhafa se do të thonë që kanë arritur konsensusin pastaj.
Bashkim Fino: Iku Rusmali, shiko si jeni të gjithë në rresht për një.

Siguria, sot seancë me ministrin Haxhinasto
Komisioni i Sigurisë Kombëtare do të thërrasë sot në një seancë dëgjimore ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Seanca është parashikuar të nisë në orën 10:00 dhe vjen pas kërkesës së bërë nga deputetët e Partisë Socialiste pak javë më parë për të thirrur në mbledhjet e Komisionit disa nga krerët e institucioneve të vendit. Një javë më parë, në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ndërkohë që në listë për tu thirrur janë edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, drejtori i Policisë, Hysni Burgaj dhe kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. Gjatë ditës së sotme, në Komisionin e Jashtëm do të miratohet marrëveshja me Austrinë për Gjendjen Civile.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›