E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti detar, PS: Të flasë Nishani

Sajmir Tahiri

Partia Socialiste kërkoi dje nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, që të përdorë pushtetin e tij për të bërë transparente negociatat që po zhvillohen midis Shqipërisë dhe Greqisë, për marrëveshjen e re të ujërave territoriale. Nënkryetari i Grupit të PSsë, Sajmir Tahiri, në një dalje për mediat, theksoi se marrëveshja e re po negociohet në fshehtësi, gjithashtu kërkoi që të përjashtojë nga grupi i negociatorëve të gjithë ekspertet që formuluan marrëveshjen e parë për kufirin detar me Greqinë, e cila u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese. I kërkojmë Presidentit të Republikës të bëjë menjëherë publike plotfuqinë me anë të së cilës ka ose do të autorizojë objektin dhe grupin negociator të ekspertëve për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, duke i bërë thirrje që të përjashtojë të gjithë ata persona që u përfshinë në negocimin e marrëveshjes së parë e që u rrëzua unanimisht nga Gjykata Kushtetuese. Marrëveshja e re nuk mund të negociohet përsëri nga Gërveni me shokë, të njëjtët që nuk patën pikën e ndërgjegjes profesionale dhe kombëtare kur hartuan qorrazi marrëveshjen e parë, u shpreh Tahiri. Socialistët kërkojnë që grupi i negociatorëve të mos limitohet vetëm me ekspertët e qeverisë, por në këtë tryezë të jenë pjesë dhe ekspertë të pavarur vendës dhe të huaj, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Deputeti i PS-së kërkoi nga Presidenti Nishani që të mundësojë zbardhjen e të gjitha negociatave të zhvilluara deri më tani dhe bërjen e tyre publike, në mënyrë që opinioni publik të njihet me hapat e marrëveshjes së re. Gjithashtu selia rozë ka sfiduar Kryeministrin Berisha, që pjesë e referendumit të jetë dhe pyetja e shqiptarëve nëse janë pro marrëveshjes detare me Greqinë apo jo. Dhe meqë Sali Berishës ia do puna të hiqet sikur pyet shqiptarët, le ta nisë nga marrëveshja e re për kufirin detar ndërmjet Shqipërisë dhe vendit fqinj, theksoi deputeti i PS.

REAGIMI I PD

Partia Demokratike ka reaguar dje lidhur me akuzat e socialistëve se marrëveshja detare me Greqinë po hartohet në mënyrë jo transparente. Demokratët shprehen se nuk mund të ketë referendum për çështjen e marrëveshjes detare, pasi është kundër interesave kombëtare. PD informon qytetarët se prapa këtyre shpifjeve të ulëta dhe banale të Edi Ramës dhe Spahisë së tij qëndron vetëm përpjekja e dështuar për të mbuluar me mashtrime aktin e tij të papërgjegjshëm të bllokimit për të tretin vit me radhë të statusit kandidat për Shqipërinë, deklaroi zëdhënësja e PD-së.

Kushtetuesja, 9 vota kundër paktit detar me Greqinë

Dy vite më parë, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar unanimisht
marrëveshjen e ujërave detare të Shqipërisë me Greqinë, duke kërkuar
rinegocimin e saj. Gjykata Kushtetuese ka shpallur antikushtetueshmërinë
e kësaj marrëveshjeje, duke anuluar paktin dhe duke kërkuar
rinegocim nga e para të kësaj marrëveshjeje. Vendimi për të rrëzuar
marrëveshjen e negociuar midis zyrtarëve të Tiranës dhe Athinës
është hedhur poshtë në unanimitet me 9 votat e anëtarëve të Gjykatës
Kushtetuese. Një ndër arsyet më të forta të këtij rrëzimi ka qenë fakti
se grupi negociator i palës shqiptare nuk kishte marrë lejen e Presidentit
të Republikës për të negociuar me palën greke.

PANARITI: PO NGRIHEN GRUPET E PUNËS

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, ka pranuar disa ditë më parë se ka nisur përgatitjet me ngritjen e grupeve të punës që do të negociojnë për herë të dytë me Greqinë marrëveshjen për delimitimin e ujërave detare. Grupet e punës janë duke punuar. Në momentin që unë do të kem rezultatet e grupeve të punës, do të mblidhemi së bashku dhe do të diskutojmë për ecurinë e mëtejshme, u shpreh para mediave ministri i Jashtëm.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›