E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakti i Ramës, Malaj i kërkon llogari Ruçit

TIRANË Pakti 10 pikësh “Për Shqipërinë si gjithë Europa” i prezantuar disa ditë më parë, nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, është bërë objekt debatesh në grupin parlamentar socialist. Mungesa në këtë mbledhje e vet kryetarit të PS-së, Edi Rama, nuk ka penguar deputetin Arben Malaj që të shprehë hapur para kolegëve të tij pakënaqësinë lidhur me mënyrën sesi selia rozë veproi për hartimin dhe publikimin e këtij akti. Burime nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së kanë bërë të ditur se Malaj duke iu drejtuar kryetarit të grupit, Gramoz Ruçi, ka shprehur zhgënjimin e tij se përse ky dokument nuk kaloi për miratim në forumet e larta të partisë, para se të bëhej publik. Lidhur me këtë shqetësim, i vetmi që ka reaguar ka qenë vetëm kryetari i grupit, Gramoz Ruçi, i cili mësohet t’i ketë thënë Malajt se nuk ka pasur asnjë anashkalim të forumeve partiake, duke i bërë të ditur atij se pakti para se të bëhej i njohur për mediat dhe opinionin publik është diskutuar gjerë e gjatë në kryesinë e grupit ku kanë marrë pjesë edhe kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare. Ndaj dhe nuk është gjykuar e nevojshme që të kalonte për diskutim edhe në forume të tjera më të larta. Gjithashtu mësohet se në mbledhjen e grupit, Ruçi u ka shpjeguar deputetëve të gjitha pikat e paktit si dhe mënyrën sesi do të veprojë grupi parlamentar socialist sa i përket ligjeve me 3/5-at. Pavarësisht qëndrimit kritik që shprehu në mbledhjen e grupit, për mënyrën sesi veproi PS-ja lidhur me paktin “Për Shqipërinë si gjithë Europa”, deputeti Arben Malaj në një komunikim për mediat ka vlerësuar nismën e kreut socialist si pozitive për shkak se ajo i jep mundësi palëve, që të dialogojnë. Në mbledhje është biseduar edhe për seancën e së enjtes ku deputetët socialistë kanë ndarë detyrat e tyre për çështjet, që do diskutojnë dhe qëndrimet që do të mbajnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›