Pakti i PS, Berisha i hapur për reformën e ndryshimet në rregullore
Kryeministri për ndryshimin e rregullores: “Për sa i përket rregullave të parlamentit duhet të garantoj çdo shqiptar, se ndonëse rregullorja e këtij parlamenti është në standardet më të larta demokratike, ne jemi të hapur për ta konfrontuar atë nen për nen, me rregulloren e Parlamentit Evropian dhe standardet më të larta të Evropës dhe të botës, që ekzistojnë. Ky është dhe qëndrimi ynë. Uroj dhe shpresoj që nga këto standarde të udhëhiqet dhe frymëzohet dhe opozita në parlamentin e vendit”
TIRANË Për më shumë se një orë, kryeministri Sali Berisha ka folur dje për vizitën e tij një javore në Nju Jork ku mori pjesë në punimet e sesionit të 66 të OKB-së. Para deputetëve demokratë, kreu i ekzekutivit ka shpjeguar hollësisht axhendën e tij një javore ndërkohë që vetëm pak minuta, i është referuar paketës së shumëpërfolur të kryetarit të PS-së, Edi Rama. Nga 10 pikat paktit të kërkuar nga kryetari i opozitës, kryeministri Berisha ka dhënë garanci vetëm për dy prej tyre. Duke sqaruar se një qëndrim të hollësishëm për këtë çështje, ai do të mbajë në një konferencë për shtyp, Berisha premtoi se të paktën me reformën zgjedhore, po shënohet progres. “...dua të theksoj se po bëhet progres dhe jam i bindur se do të ketë progres në bashkëpunimin në reformën zgjedhore, ku maxhoranca ka qenë gjithnjë e hapur dhe mbetet e hapur të punojë me opozitën dhe të gjithë faktorët e rëndësishëm të kësaj shoqërie për të adresuar një nga një të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të dy zgjedhjeve të fundit”, - tha dje Berisha. Kryeministri ka lënë të hapur edhe diskutimin për një tjetër kërkesë të PS-së, që lidhet me ndryshimin e rregullores, edhe pse pak gjasa ka të ketë rezulat konkret, sa kohë që Berisha u shpreh se propozimet do të krahasohen me rregulloren e Parlamentit Europian. “Për sa i përket rregullave të Parlamentit duhet të garantoj çdo shqiptar, se ndonëse rregullorja e këtij parlamenti është në standardet më të larta demokratike, ne jemi të hapur për ta konfrontuar atë nen për nen, me rregulloren e Parlamentit Evropian dhe standardet më të larta të Evropës dhe të botës që ekzistojnë. Ky është dhe qëndrimi ynë. Uroj dhe shpresoj që nga këto standarde të udhëhiqet dhe frymëzohet dhe opozita në parlamentin e vendit”, - tha ai. Përmes një konference për shtyp, pak ditë më parë, kryetari i PS-së, Edi Rama, paraqiti para mediave një paketë prej 10 pikash të cilat trajtojnë në mënyrë të detajuar nevojën e konsensusit për disa çështje të rëndësishme. Pakti i propozuar nga Rama kërkon konsensus për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, duke marrë parasysh rekomandimet e dy raporteve të fundit të OSBE-ODIHR-it, të drejtën e opozitës për të pasur tre anëtarë në Këshillin e mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, zgjedhjen me konsensus nga të dyja palët të drejtuesit të këtij institucioni si dhe një sërë çështjesh të tjera, që i adresohen kabllogrameve të Ëikiliks dhe punës së Prokurorisë.
N.P