Tahiri: Berisha të japë përgjigje konkrete për paktin
TIRANË Pas përfundimit të fjalës së kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e përjavshme të qeverisë, në selinë rozë, ka ardhur edhe reagimi i parë. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, e konsideroi vizitën një javore të kreut të ekzekutivit si të dështuar, ku nuk u përfill nga askush. “E patë të gjithë që Sali Berisha doli dy orë në televizor duke tallur shqiptarët me historitë e tij, nga udhëtimi në SHBA, a thua se kishte shkuar në dasmë dhe jo për një vizitë në sesionin e OKB-së. Ku për hir të së vërtetës nuk ja fërshëlleu asnjëri, përveç vizitës zyrtare, ku për protokoll marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e shteteve. E sigurt është një gjë, ne jemi i vetmi vend ku kryeministri kthehet nga jashtë dhe zapton për dy orë ekranin, a thua se nuk i ka dalë akoma pija nga dasma”, - tha dje Tahiri. Deputeti i PS-së shtoi se partia më e madhe në opozitë kërkon një përgjigje konkrete për 10 pikat e bëra publike nga kryetari i opozitës. “PS-ja ka bërë një propozim shumë të qartë, për të cilën duhet një përgjigje në interes të qytetarëve dhe të vendit, për integrimin në BE. Edhe pse duhet thënë se ne jemi mjaft të qartë se Sali Berisha nuk e do integrimin e vendit në BE. Sepse vetëm duke qenë larg integrimit europian mund të mbajë në këmbë një qeveri të paaftë dhe injorante. Gjithsesi ne jemi të vendosur të çojmë deri në fund përpjekjet tona, së bashku me qytetarët. Për ta larguar njëherë e mirë Shqipërinë dhe fatin e integrimit të vendit, nga zullumet dhe zullumqarët e Saliut. Ne jemi të vendosur për të ofruar alternativën europiane. Siç jemi të vendosur që ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë europa. Për këtë jemi të gatshëm të japim të gjithë energjinë, të gjithë pasionin, të gjithë forcën tonë derisa ky qëllim të arrihet”, - tha Tahiri.