Pakti i Ramës, alibi përpara Kongresit të PS-së
Deputeti i Partisë Demokratike, Jemin Gjana, u shpreh dje se pakti i propozuar nga Edi Rama dhe bllokimi i ligjeve që kërkojnë shumicën e cilësuar të votave të Parlamentit, është një alibi për kongresin që kjo parti do të zhvillojë më 5 nëntor. Ky qëndrim bllokues i Edi Ramës ka për të vazhduar. Ndoshta jo vetëm derisa ai të riformatojë zgjedhjet dhe të mbyllë çështjen e zgjedhjeve në parti, por ka për ta mbajtur këtë si një gur loje politike deri në zgjedhjet e 2013-s, tha Gjana. Sipas tij, qëllimi tjetër i propozimeve të Ramës është bllokimi i marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Edhe në pikëpamje të afateve të parashtruara, paketa në vetvete është një alibi për të mbuluar qëllimin e vërtetë të Edi Ramës- dënimin e qeverisë- sipas mentalitetit dhe pikëpamjes së tij. Ndërkohë që në të vërtetë dënimi është për shqiptarët, theksoi më tej deputeti i Partisë Demokratike.