Pakti me Greqinë, firmosësit u shpërblyen me poste
Anëtari i ekipit negociator të Shqipërisë u emërua në shtator zv. shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe u gradua kundër admiral
"Unë jam Kristaq Gerveni. Vij këtu në rolin e ekspertit të detit dhe të ligjit të detit dhe si anëtar i grupit negociator për ndarjen e detit me Greqinë. Jam oficer marine, kam punuar tetë vjet në nëndetëse, 9 vjet kam punuar në Akademinë e Detarisë, ku kam qenë komandant i shkollës. Kam bërë në vitin 1996 një specializim në kolegjin e Flotës në Amerikë, ku kam dhënë provim edhe të drejtën e detit. Në 2001 jam diplomuar në Universitetin e Mbrojtjes në Amerikë, ku kam mbrojtur dhe një gradë shkencore për sigurinë kombëtare. Kam punuar në detyra të ndryshme, kohët e fundit kam qenë për katër vjet komandant i flotës dhe tani kam një muaj që kam filluar zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm. Megjithatë, unë sot kërkoj që të më trajtoni vetëm si ekspert të detit dhe anëtar të grupit negociator për ndarjen e detit me Greqinë".
Kështu prezantohet para gazetarëve, ushtaraku 50-vjeçar nga Vlora, i cili prej majit 2009 ka marrë përsipër të sqarojë paktin detar me Greqinë, të sulmojë ata që e analizojnë si shitje të territoreve, dhe të mos jetë "trimi i mirë me shokë shumë", sepse megjithëse një grup i madh negociator, asnjë ministri tjetër nuk ka marrë përsipër të dalë përpara publikut, i cili është i bindur se këtu ka një hile të madhe, në përfitim të shtetit grek. "Edhe pse grekët në negociata nuk na e pranuan gjirin e Sarandës, si gji të mbyllur, na pranuan pesë gjire dhe gjirin e Sarandës jo, se duan të jenë në rregull edhe ata me qeverinë dhe popullin e tyre"- thotë në një moment kundëradmiral Gerveni, duke radhitur shpjegimet e rrathëve dhe vijave, sipas të cilave, Shqipëria ka fituar më shumë se çfarë kishte menduar.
Deri pak kohë më parë, mbante gradën e kapitenit të rangut të parë dhe emri i tij ishte përmendur në media, vetëm në lajme fatkeqësish, me humbje njerëzore dhe materiale. Në korrik 2006, ishte ushtaraku më i mediatizuar i edicioneve informative dhe faqeve të para të gazetave. Helikopteri tip "Bell 222", me të cilin udhëtonin Gramoz Pashko dhe pesë persona të tjerë, ishte rrëzuar në detin Adriatik dhe Gerveni si komandant i Forcave Detare, shprehej se do të duhej kohë për të bërë të mundur nxjerrjen e helikopterit dhe trupave, nga thellësia e madhe e detit, që shkonte edhe 1000 metra. Trupat nuk u gjetën asnjëherë.
Pas tragjedisë së Gërdecit, mediat raportonin se tragjedi të tilla mund të ndodhnin jo vetëm në tokë, por edhe në det. "Plazhet e Pastra 2008", iu besua Brigadës Detare, për pastrimin e ujërave përgjatë gjithë vijës bregdetare të Gjirit të Vlorës nga mbetje të predhave të Luftës së Dytë Botërore. Mbi 34 ton municione u nxorën nga thellësitë e detit përgjatë gjirit të Vlorës, kryesisht në zonën e Ujit të Ftohtë, Kalasë dhe të vetë buzës së ujit në pjesën perëndimore të qytetit.
Në mars 2009, niste aksioni për fundin e historisë së nëndetëseve të Shqipërisë. Nëndetëset e Pashalimanit dhe të gjitha mjetet e tjera detare të kohës së komunizmit, të cilat edhe kërkoheshin nga muzetë e disa vendeve ish-socialiste të Evropës Qendrore, u vendosën që do të shiteshin për skrap.
Ish-kreu i flotës detare shqiptare, që thotë se ka punuar me nëndetëset për tetë vjet, njoftonte se do të ruhej vetëm një nga nëndetëset, si relike për të rrëfyer historinë e tyre të dikurshme, dhe një nga anijet e luftës. 44 anije të tjera do të priten dhe do të përfundojnë për skrap. Duke ndjekur fatin e keq të tankeve ruse dhe kineze dhe të avionëve MIG-ë, që u shkëmbyen për disa automjete nga ushtria greke.
Në dukje, është një karrierë "hap pas hapi". Gerveni, pas mbarimit të Akademisë së Detarisë në 1983, e nis detyrën e ushtarakut në nëntor të atij viti si shef lundrimi në nëndetëse në Vlorë, pas një dekade bëhet Shef i Katedrës së Lundrimit në Akademinë e Detarisë në Vlorë, post ku rikthehet sërish pas katër viteve deri në 2000. Në shkurt 2003 Gerveni "fut" këmbët" në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe në 2 shtator 2009 emërohet zv. Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së.
Me të njëjtin ritëm edhe gradimet. Në nëntor 1991 kishte gradën e Kapiten Lejtnantit dhe shkallë pas shkalle në maj 2000 merr gradën Kapiten i Rangut I. Ndërsa në 18 shtator 2009, gradohet Kundër Admiral. Një javë më vonë, në 25 shtator Komisioni Parlamentar i Ligjeve, me anëtarë vetëm deputetët e shumicës dhe pa praninë e opozitës, miraton paktin detar Shqipëri-Greqi.