E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet kandidati për Njësinë 10, Meta: Do marrim votat e majta

TIRANË - Në kushtet kur Partia Socialiste, së bashku me parti të tjera të majta dhe të djathta opozitare kanë vendosur që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit, Lëvizja Socialiste për Integrim duket se do të jetë e vetmja forcë politike e cila do të luajë rolin "opozitar" ndaj Partisë Demokratike dhe kërkon të fitojë pikërisht me elektoratin e majtë në Tiranë.

"Eshtë përgjegjësia jonë që të mos i lëmë qytetarët në këtë zonë pa alternativë, pa mundësi zgjedhjeje, dhe në radhë të parë ata qytetarë, të cilët janë të majtë dhe preferojnë të votojnë për një alternativë të majtë", u shpreh Meta gjate prezantimit të kandatures se Gjergji Thomait për Njesinë bashkiake nr.10 në Tirane.

Gjatë prezantimit, Kryetari i kësaj force politike deklaroi se ai është një kandidat që do të dijë të menaxhojë dhe të zgjidhë problemet, që ka njësia nr. 10 në Tiranë. "Prezantojmë sot përpara jush kandidatin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, për zgjedhjet e 15 nëntorit, për kryetarin e njësisë bashkiake 10 të kryeqytetit. Unë jam i bindur se Thomai gëzon cilësi shumë të mira për të menaxhuar në një mënyrë tepër të kualifikuar ato probleme që ka kjo njësi, ashtu si kurse këto probleme janë dhe zona të tjera të kryeqytetit", u shpreh Meta, sonte ne mbledhjen e kryesise se partise se tij.

Garës së këtyre zgjedhjeve, mendohet t'i bashkohet edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, pas deklaratës së lëshuar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Leonard Solis. Megjithatë, akoma nuk ka një qëndrim zyrtar të kreut të kësaj partie, Vangjel Dule, i cili është shprehur se zgjedhjet e 28 Qershorit u manipuluan dhe për këtë arsye, ai u bë edhe pjesë e protestës hapëse në Tiranë, të mbajtur nga Partia Socialiste. Kjo e fundit vazhdon t'i kontestojë zgjedhjet së bashku me partitë e tjera të majta dhe të djathta, të cilat e konsiderojnë procesin e numërimit të këtyre zgjedhjeve si të manipuluar, dhe për këtë arsye kërkojnë edhe hapjen e kutive të votimit për të vërtetuar transparencën. Krahas partive të majta, në zgjedhjet e pjesshme nuk do të marrë pjesë edhe Partia Demokristiane e drejtuar nga Nard Ndoka, dhe Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e drejtuar nga Dashamir Shehi.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›