E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pinjolli i Libohovëve çon në gjyq Galerinë e Arteve për “Ali Pashën”

TIRANE - Një portret i Ali Pashë Tepelenës, që qëndron i varur në Galerinë Kombëtare të Arteve që prej themelimit të saj, duket se lidh shpirtërisht pinjollin Odin Libohova me kujtimin e gjyshit të tij, Ihsan Libohova, një figurë e shquar e familjes së madhe, që nuk do t’i shpëtonte persekucionit komunist. Portreti i realizuar me mjeshtëri nga Nikolla Lako, është bërë si kujtim ndaj Ihsan Libohovës, fakt që e dëshmon pikërisht shënimi që ndodhet mbi tablo. Nipi i Ihsan Libohovës, Odini, ka vendosur të ndjekë rrugën gjyqësore për të rimarrë këtë portret, që duket se mbart jo pak vlera shpirtërore për të dhe pjesëtarët e tjerë të familjes së shquar, e cila për breza e breza kontribuoi për vendin. Përmes një padie civile të depozituar në Gjykatën e Tiranës, Odin Libohova kërkon nga togat e zeza ta detyrojnë Galerinë Kombëtare të Arteve t’i kthejë pikturën (portret i Ali Pashë Tepelenës), realizuar nga Nikolla Lako, sipas tij si kujtim ndaj të ndjerit, gjyshit të tij, Ihsan Libohova. Drejtori i Galerisë së Arteve, Rubens Shima, i pyetur rreth kësaj çështjeje tha për “GSH” se piktura në fjalë ndodhet në Galeri që prej themelimit të saj. Sipas Shimës, piktura është pronë e Galerisë Kombëtare të Arteve, pasi është blerë dhe regjistruar në inventarin e Galerisë. Shima theksoi se nuk ka dokumente të mjaftueshme që të vërtetojnë faktin që vepra i është marrë familjes në formë sekuestroje. Gjykata e Tiranës ka zhvilluar një seancë të parë përgatitore dhe të martën pritet të nisë shqyrtimin e padisë.
Kush është Ihsan Libohova
Ihsan Libohova u lind në vitin 1901 në qytezën e Libohovës. Shkollën fillore e kreu në Turqi, ndërsa atë të mesme në Korfuz. Studimet e larta i kreu në Francë, në Universitetin e Sorbonës, për Drejtësi. Nga Franca u kthye dhe qëndroi për një vit në Shqipëri e mandej u largua drejt Italisë, ku ndoqi studimet në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Romës.
Gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, ai shërbeu si Perfekt në Pogradec, e më vonë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Në vitin 1994 ai u arrestua nga forcat partizane dhe më vonë u dënua me dhjetë vite burg. Libohova mundi të lirohej në 1950-ën, por në fakt, tërë vitet e mbetura të jetës i kaloi në kampe të tmerrshme dhe duke punuar si punëtor. Familja Libohova është ndër familjet më të vjetra dhe më të pasura gjatë gjithë historisë së vendit. Brez pas brezi, djemtë dhe vajzat e familjes janë shkolluar në universitetet më me emër në Perëndim dhe kanë mbajtur poste të rëndësishme, duke kontribuar në të mirën e Shqipërisë. Por kjo familje, ashtu sikurse dhe shumë të tjera, nuk do t’i shpëtonte persekucionit dhe shumë prej pjesëtarëve të saj të shquar u dënuan dhe internuan. Madje pati prej tyre që vdiqën burgjeve. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›