Palermo e arabëve

Palermo mund të bëhet shumë shpejt si Manchester City. Klubi italian mund të bjerë në duart e miliarderëve arabë, të cilët e kanë shprehur gatishmërinë për të blerë aksione. Mundësia e bashkëpunimit është prezantuar të shtunën gjatë konferencës për shtyp të mbajtur në qendrën sportive të Boccadifalcos.
Presidenti i klubit sicilian, Maurizio Zamparini ka treguar edhe për zanafillën e kësaj ideje. Ai tregon se gjithçka ka filluar kur disa shokë e kishin ftuar në Dubai, ku kishte gjetur njerëz që janë të ngjashëm me sicilianët dhe që i kushtojnë më shumë rëndësi zemrës dhe ndjenjave, se gjërave të tjera.
“Miqtë e mi arabë kanë mbetur entuziastë me Palermon. Shpresojnë që të ekzistojnë mundësitë që ta krijojmë një bashkëpunim për ta dërguar gjithmonë e sa më lart Palermon. Për momentin mendoj se ekzistojnë 50 për qind të mundësive për të arritur deri te një marrëveshje definitive. Nëse arrijnë investitorët, shpresoj që të arrijnë edhe rezultatet”, deklaroi Zamparini në konferencë për shtyp.
Projekti parasheh 200 milionë euro investime, të cilët do t’i bëjnë miliarderët nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Me këto para parashihet të bëhen investime në futbollistë, por edhe në ndërtimin e një stadiumi të ri.
- “Unë do të mbetem sigurisht në klub. Me mbështetjen e investitorëve të huaj mund të marrim edhe lojtarë me eksperiencë dhe kualitet, që sot nuk mund t’i transferojmë. Modeli ynë duhet të jetë si ai i Arsenalit, e jo si i PSG-së. Duhet të llogarisim në lojtarë të rinj”, vazhdoi Zamparini.
Investitorët arabë kanë premtuar se, nëse futen në klubin Rosanero, Palermo do ta fitojë Scudetton deri në vitin 2015. “Për të fituar, duhet të investojmë. Për vitin 2012 kemi gati 1 miliard euro për investime, kurse për tre vjet do të jenë 5 miliardë. Objektiv yni është që ta fitojmë Scudetton brenda tre vjetësh, nga fillimi i projektit. Jemi të gatshëm të investojmë në futboll”, ka thënë njëri prej sipërmarrësve arabë, që janë të gatshëm të investojnë në futbollin italian.
Më 15 mars do të zbulohet plani i Palermos për tri vjetët e ardhshëm dhe do të dihet nëse arabët do të kyçen në klub apo jo.