E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjithçka në rregull

Besart Berisha siguron se gjithçka është në rregull në mes të tij dhe shokut të skuadrës, James Meyer. Të dy ishin grindur gjatë dhe pas ndeshjes ndaj Mariners, për shkak të mosmarrëveshje në fushë. Futbollisti kosovar i ekipit Brisbane Roar ndihet i pafajshëm. Ai thotë se ky ishte vetëm një reagim ‘pasionant’ që ndodh në fushë dhe asgjë më shumë.

Sulmuesi kosovar, Besart Berisha e përshkruan grindjen me shokun e skuadrës, James Meyer asgjë më shumë sesa një reagim ‘pasionant’, pas fitores së Brisbane Roar me rezultat 2-0 ndaj kryesuesit të Mariners.

Futbollisti shqiptar ishte involvuar në një incident kontrovers pas ndeshjes për herë të dytë pas më pak se një muaji, kur ai dhe Meyer u prishën në natën e së shtunës mbrëma në Bluetongue Stadium.

Më 14 janar, Berisha e kishte ftuar mbrojtësin e Sydney FC, Pascal Bosschaart në tunelin e Suncorp Stadiumit, për t’i qëruar hesapet. Derisa në atë rast 27-vjeçari ishte penduar, Berisha thotë se nuk ka arsye për të kërkuar falje për atë të cilin nuk e konsideron si incident, me Meyes.

“Kjo është një çmenduri. Nuk ka ndodhur asgjë siç thuhet. Çdo gjë është në rregull në mes nesh”, ka thënë golashënuesi më i mirë i kampionatit australian të futbollit – A-League.

Thuhet se zëvendësuesi Meyer ishte ndier i ofenduar nga sugjerimet e Berishës, se ai nuk po kyçej si duhet në lojën e Roarit, pasi ishte inkuadruar në lojë në pjesën e dytë. Pastaj Berisha kishte thënë se Meyerit i kishte munguar respekti ndaj tij.

Mediat australiane shkruanin se ishte një mosmarrëveshje tipike në mes të dy lojtarëve, e nisur gjatë lojës dhe e vazhduar edhe pas saj dhe se ishte e tëra pjesë e natyrës serioze të sportit.

“Ky nuk është kopsht fëmijësh. Ky është futboll dhe nëse duam të jemi të suksesshëm, duhet të jemi pasionantë si ky rast. Ndonjëherë nuk është koha të jemi miqësorë, kur jemi duke luajtur”, vazhdoi ish-përfaqësuesi shqiptar.

Menaxheri i Roar, Paul Trimboli nuk pret që Federata e Futbollit të Australisë të marrë ndonjë vendim ndaj Berishës, i cili ishte kthyer pas suspendimit prej një loje, për shkak të tentim përleshjes me Bosschaart.

Kapiteni i Brisbanes, Matt Smith thotë se pasioni i qartë i Berishës për futboll dhe shokët e skuadrës e kanë bërë atë figurë ekstremisht të popullarizuar përbrenda ekipit. “Besi e lodh zemrën e tij nën fanellë dhe kjo është njëra nga arsyet se përse e duam atë aq shumë. Ajo që ka ndodhur, ka mbetur në fushë”, tha ai.

Berisha e shënoi njërin nga dy golat e skuadrës së tij. Ky ishte goli i 12-të për futbollistin prishtinas në këtë kampionat në Australi, duke vazhduar të qëndrojë i vetëm në kryesimin e renditjes së golashënuesve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›