E Shtunë, 31 Tetor 2026

Palermo hesht për Mehmetin

Agon Mehmeti është në pritje të lajmeve nga Italia, por Palermo është duke heshtur. Drejtori sportiv i Malmos, Per Agren, thotë se nuk është dëgjuar fare me drejtuesit e klubit italian në javët e fundit. 21 vjeçari dëshiron të transferohet në Itali gjatë verës, por ëndrra e tij për të luajtur në Serie A mund t’i plotësohet vetëm në janar. Nga Express më 22 korrik 2011 në ora 11:31

Palermo nuk po tregohet aktive rreth interesimit për Agon Mehmetin. Derisa në muajin qershor flitej gati çdo ditë për këtë punë, sot gjërat janë ndryshe. Kanë kaluar disa javë dhe klubi italian është duke heshtur rreth çështjes Mehmeti.

Në qershor, presidenti Maurizio Zamparini e kishte lëshuar një ‘bombë’, ku konfirmonte interesimin për sulmuesin kosovar, të cilin thoshte se planifikon ta transferojë në janar. Mirëpo, klubi sicilian duket se po fle.

“Nuk jemi dëgjuar që një kohë me Palermon. Vetëm kemi lexuar nëpër media, por nuk kemi pasur më kontakte. Më herët e kemi pranuar një vizitë të zyrtarëve të Palermos, ku na kanë dhënë një siguri. Kemi biseduar vetëm një herë me ta dhe tash topi është te ata. Konfirmoj se nuk jemi dëgjuar që disa javë”, tha drejtori sportiv i Malmos, Per Agren, për ueb faqen suedeze fotbolldirekt.se.

Ditë më parë, 21 vjeçari thoshte se do të dëshironte të transferohet te klubi italian qysh në këtë verë, pa pritur deri në janar. “Është mjaft zbavitëse, çdo futbollist do të dëshironte të luante në futbollin italian. Interesimi i Palermos më nderon. Do të dëshiroja të shkoja atje gjatë verës”, deklaronte Mehmeti.

Agren e pranon se sulmuesi kosovar mezi pret të transferohet në Itali, por thotë se Mehmeti i merr gjërat me qetësi. Mehmedi ka kontratë me Malmon deri në tetor. Pasi t’i skadojë ajo, ai mund të largohet nga Suedia për të zbarkuar në Itali ose diku tjetër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›