E Shtunë, 31 Tetor 2026

Palestina pranohet në UNESCO

Në pritje të anëtarësimit të plotë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Palestina korri një fitore të parë në fundin e këtij tetori, duke u zgjedhur anëtare e UNESCO-s.

Zgjedhjen e Palestinës si anëtare mes 195 vendeve, që ngërthejnë agjencinë e UNESCO-s e mbështeti edhe Franca, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kundërshtim me këtë zgjedhje, paralajmëruan ndërprerjen e 60 milion dollarëve financime, që do t’i jepeshin organizatës, pasi sipas tyre kjo shkon ndesh me legjislacionin amerikan.

Rezoluta pro Palestinës në UNESCO u votua në Paris, në Konferencën e Përgjithshme të Agjencisë, me 107 vota për, 52 abstenime dhe 14 vota kundër.

Tashmë Palestinës i mbetet vetëm një akt formal, pikërisht që të nënshkruajë aktin konstitutiv të UNESCO-s në Londër, për të ligjëruar tërësisht hyrjen në këtë agjenci të OKB-së.

“Është me të vërtetë një moment historik, që i rikthen Palestinës disa nga të drejtat e saj”, deklaroi pas kësaj fitoreje ministri i Punëve të Jashtme të Autoritetit Palestinez, Riyad al-Maliki.

“Palestina është djepi i feve dhe i qytetërimeve”, tha Al Maliki, pasi siguroi se palestinezët kanë nevojë për mbështetjen e UNESCO-s në mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore të rajonit.

Sipas tij, kjo pikë ishte jashtë përpjekjes më të fundit diplomatike të Palestinës, për t’u njohur si shtet anëtar i OKB-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›