A mund të shpëtohet pastori gjerman?

Edhe përkundër faktit se Wayne Curry jeton në SHBA, ai ja ka arritur që me kalimin e kohës të mësojë disa fjalë gjermanisht. Ai i di fjalët Fuss (në këmbë) dhe sitz (ulu).
Curry e dashuron Gjermaninë. Në garazhin e tij ai ka një Porsche dhe një BMË. Por para se gjithash, ai e adhuron racën e njohur të qenve, pastorin gjerman.
Ai në fermën e tij rritë dhe trajnon qentë e kësaj race.
“I adhuroj gjermanët. Ata janë konkurrues dhe gjithmonë hyjnë në garë për të fituar”, thotë Curry.
Pas labradorit, pastori gjerman është raca e dytë më e popullarizuar e qenve në SHBA. Dhe Curry është shumëzuesi më i suksesshëm i kësaj race të qenve në Amerikë. Ai një kohë kishte rritur rotweiler, por para shumë viteve. “Ata nuk kanë asnjë mundësi kundër pastorit gjerman. Ata largohen, kur të lodhen”, thotë ai.
Curry ka dëgjuar se në Gjermani aktualisht është duke u zhvilluar një debat i nxehtë, në lidhje me rënien e racës së pastorit gjerman. Dhe ai gjithashtu ka dëgjuar se policia gjermane tani më shumë preferon të punojë me racën belge të qenve, malinois.
“Më falni? Edhe në Gjermani malinoisi konsiderohet si një qen i flakur. Pastori gjerman mund të përqendrohet, ndërsa malinois nuk mund ta bëjë këtë. Unë nuk do ta lejoja një malinji ti afrohej familjes time. Mendoj se bëhet fjalë për një qen tejet të shëmtuar”, thotë Curry.
Në ditët e sotme, njeriu duhet të udhëtojë shumë larg, për të gjetur një mbështetës kaq të përkushtuar të pastorit gjerman. Për dallim nga Curry, kultivuesit gjermanë janë të ndarë në lidhje me atë se cilat duhet të jenë karakteristikat e një pastori të mirë gjerman.
Ata që angazhohen për pastërti, dëshirojnë që standardi i shumëzimit të kthehet në formën e vet origjinale. Në vitin 1898, kapiteni i këmbësorisë, Max von Max von Stephanitz e përzgjodhi Horand von Grafrath si qenin e tij të parë dhe shembull, duke krijuar kështu këtë racë të mirënjohur të qenve. Për një kohë të gjatë, pasardhësit e Horandit i ngjasuan të parit të tyre. Trupi ishte relativisht i hollë dhe në formë teli, ndërsa shpina ishte e drejtë si një shigjetë.
Këto kafshë kishin të gjitha virtytet, që ndihmuan që pastori gjerman të shndërrohet në ikonë.
Oficerët e policisë si në shtetet demokratike, ashtu edhe në diktatura, gjithmonë e kanë vlerësuar këtë racë, për shkak të guximit të jashtëzakonshëm dhe qëndrueshmërisë.
Pastori klasik gjerman u shndërrua në simbol të dyshimtë gjatë kohës së nazizmit. Për një periudhë, Adolf Hitleri kishte tre qen të kësaj race.
Gjatë dy dekadave të kaluara, shumë kultivues janë angazhuar për një standard të ri, me qëllim që qentë të duken më mirë gjatë shfaqjeve. Në sipërfaqe doli një ideal i ri, i cili definonte se si duhej të dukej pastori gjerman, duke ndryshuar kështu thelbësisht formën e gjithë racës.
Modeli i sotëm është më i rëndë dhe më i trashë, e as shpina nuk është më e drejtë, por është më e kërrusur.
Ekspertët e qenve theksojnë se si dukja, ashtu edhe paraqitja e qenit dikur model kanë vuajtur. “Këta qenë janë tejet të kokëtrashë sa për të ikur”, theksojnë ata.
Nga këndvështrimi i mjekësisë veterinare, kemi të bëjmë me diç më tepër, se sa vetëm me një problem estetik.
Sot, pjesa më e madhe e këlyshëve të pastorit gjerman tregojnë shenja të problemeve eshtërore, me të cilat do të përballen pasi të rriten.
Kur policia në shtetin Nordrhein Westfalen vendosi së fundi që të heq dorë nga shërbimet e këtij qeni, dukej se fati i pastorit gjerman ishte vulosur përfundimisht. Policia gjermane tani preferon më shumë malinoisin më agresiv.
Por anëmbanë botës ende ka adhurues të shumtë të racës klasike të pastorit gjerman. Falë tyre, pastori gjerman ende mund të shitet për çmime tejet të larta.
Për momentin, kjo racë është tejet e kërkuar në Kinë. Curry thotë se ka pranuar oferta nga persona dhe individë të dyshimtë, të cilat i ka refuzuar.
Ai tregtinë me qen e ka mësuar nga kultivuesit në Gjermani. “Ata vërtetë janë të ashpër”, rrëfen Curry.
Sipas filozofisë së Curryt, njeriu është gjithmonë i dobëti, e assesi kafsha. “Askush nuk është i përkryer dhe të gjithë bëjmë gabime. Qeni duhet të më falë, prandaj mua më mjafton vetëm mëshiruese e pastorit gjerman, natyra e këtij qeni vërtetë të mrekullueshëm”, përfundon Curry.