E Shtunë, 31 Tetor 2026

Palestinë,dorëhiqet kryeministri Fayyad

Kryeministri i autoritetit kombëtar palestinez, Salam Fajad ka dhënë dorëheqjen përpara Presidentit Mahmud Abas. Fajad ka njoftuar se ka dhënë dorëheqjen për t'i hapur rrugë krijimit të një qeverie të bashkimit kombëtar, në kuadër të procesit të ripajtimit me lëvizjen radikale të Hamasit. Dorëheqja e Fajad vjen në prag të negociatave të reja midis partisë së Fatahut dhe Hamasit. Dorëheqja e kryeministrit të autoritetit palestinez, nuk cilësohet si dicka e jashtëzakonshme për anëtarët e Hamasit. Një nga zëdhënësit kryesorë të këtij grupi, Fauzi Barhum, ka shpjeguar se Hamasi ishte në pritje të këtij vendimi, pasi ata e cilësonin qeverinë e drejtuar nga Fajad si jokushtetuese. Ndërkohë, me anë të një komunikate, kryeministri Salam Fajad, ka sqaruar se dorëheqja e tij do të ketë efekt pas formimit të një qeverie të bashkimit kombëtar palestinez, por jo më shumë se deri në fund të muajit mars. Bisedimet për qeverinë e re po zhvillohen në kryeqytetin egjiptian Kajro. Qeveria e re që pritet të krijohet do të koordinojë gjithashtu edhe rindërtimin e qytetit të Gazas. Ndarjet mes Fatahut dhe Hamasit janë parë gjerësisht si një nga pengesat më të mëdha për bisedimet e paqes mes palës izraelite dhe asaj palestineze.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›