E Shtunë, 31 Tetor 2026

Palestra e politikës së turpit!

TIRANE - Ajo do të jetë një palestër që nuk do të mbahet mend për ndonjë ndeshje të veçantë të zhvilluar në të, apo në të cilën të jetë shquar ndonjë talent, gjithashtu sportiv, çka do ta justifikonte edhe qëllimin për të cilin edhe është ndërtuar! Edhe pse prej një jave ajo ka pritur e përcjellë qindra njerëz nëpër shkallaret dhe parketin e saj, megjithatë, në të vetëm sport nuk ka pasur, sepse një shfaqje e vërtetë turpi iu është servirur atje të gjithë shqiptarëve nëpërmjet numërimit maratonë e ndërkohë mjaft aventuresk të votave të hedhura më 8 maj nga banorët e njësisë bashkiake nr.5 të kryeqytetit. I caktuar për të zhvilluar një funksion ndryshe nga ai i zakonshmi sportiv, ky objekt tashmë mund të quhet pa mëdyshje si palestra e politikës së turpit!
Si një vend i shquar paradoksesh, edhe këtë herë Shqipëria e bëri çudinë e radhës, duke e kthyer palestrën në fjalë në një fushë që nuk mbeti asnjëherë bosh, ditë e natë, për një javë rresht, madje duke pasur si “spektatorë” të kësaj shfaqjeje absurde edhe shumë diplomatë të huaj, aq sa kurrë nuk mund të jenë parë në ndonjë palestër tjetër të botës! Madje njëri prej tyre, ambasadori amerikan në Tiranë, z.Arvizu nuk do ta kishte menduar kurrë se do t’i qëllonte ndonjëherë në jetën e tij që të qëndronte në një palestër të shkollës së një vendi, deri dje mjaft të largët e të panjohur për të, për më shumë se 2 orë, e për më tepër në një kohë aspak të përshtatshme, nga mesnata në të gdhirë, duke mos luajtur e mos parë atje ndonjë ndeshje të mirëfilltë sportive, por thjesht duke qenë i pranishëm në një shfaqje turpi që vetëm ne shqiptarët dimë ta vëmë në skenë!
Më shumë se ditë të zakonshme, pse jo ndoshta edhe festive kur është fjala për raste të tilla që i bëjnë mirë të ardhmes së njerëzve, tek ne, fushata e zgjedhjeve dhe ditët që e pasojnë atë me votimet dhe numërimin e fletëve përkatëse, janë kthyer në një odise të paparë tensioni, akuzash, presioni dhe kërcënimesh të ndërsjella mes palëve të ndryshme politike, pasojat e të cilave e dëmtojnë gjithnjë e më shumë imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Nuk mjafton fakti që kjo situatë tek ne ndalon zhvillimin e aktiviteteve sportive, që në vende të tjera me këtë rast inkurajohen, por kjo atmosferë bëhet edhe më e zymtë e tepër pesimiste kur sheh që nga “ndeshja e një palestre” të bllokohet për ditë të tëra e gjithë jeta e një vendi!
Të mësuar që problemet tona të na i zgjidhin të tjerët sepse ne vetëm i ngatërrojmë më shumë ato, kemi krijuar ndërkohë një gjendje vartësie, pothuajse në të gjitha fushat, që nuk na shpëton dot për të dalë nga e ashtuquajtura ‘periudhë e tejzgjatur e tranzicionit’. Një palestër është vetëm një palestër dhe duhet të shërbejë për ushtrimin e sporteve në te. Por palestra në fjalë e ka humbur tashmë funksionin e saj primar, për shkak të shfaqjes së turpit që po luhet atje prej politikës sonë të mbrapshtë. Bashkë me palestrën e ka humbur funksionin e saj edhe shkolla në të cilën ajo ndodhet, nga që prej ditësh atje nxënësit nuk zhvillojnë mësim, gjithashtu për shkak të ndërhyrjes politike në tërë jetën e vendit tonë!
Gjatë ditëve të fushatës së zgjedhjeve vendore si dhe pas saj, edhe atmosfera sportive, sidomos ajo e futbollit, është ndikuar së tepërmi nga ndërhyrja e politikës në të. Punët janë ngatërruar aq keq sa edhe kampionati u ndërpre pikërisht në çastin më delikat, atëherë kur çështja e titullit dhe e daljes së disa skuadrave nga kategoria superiore janë përgojuar skajshëm, pikërisht prej politikës që ka futur hundët dhunshëm atje. Është ky mjedis i ngarkuar kështu që e ka larguar vëmendjen e opinionit prej sportit, duke e kthyer këtë popull në një spektator unikal në të gjithë botën, i cili pasi ka braktisur stadiumet, tani është vendosur me ditë e net të tëra para ekraneve të televizioneve, për të ndjekur turpin e radhës në politikë.
Është një turp që do të na duhet ta përtypim për shumë kohë, ashtu siç kemi bërë gjatë gjithë viteve të fundshekullit të kaluar dhe në këtë dekadë të parë të shekullit të ri. Gjithnjë nën vëzhgimin dhe përkujdesjen e ndërkombëtarëve, ne megjithatë, vazhdojmë ta kemi të vështirë të ecim me hapin e vendeve të tjera europiane, ku aspirojmë të bëhemi pjesë. Për këtë flet edhe rasti i cituar gjatë këtij komenti, kur një palestër sportive prej ditësh është kthyer në skenën e një shfaqjeje absurde!
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›