E Shtunë, 31 Tetor 2026

Palin “sulmon” Obamën

Ish-kandidatja për funksionin e zëvendëspresidentit të SHBA-së, Sarah Palin, ju bashkua betejës kombëtare për ligjin e ri kundërthënës të Arizonës për imigracion, me ç’rast ajo dënoi kritikat e administratës së Barack Obamës në adresë të këtij ligji.

“Është koha që të gjithë amerikanët anembanë vendit të ngritën dhe të thonë, ‘Të gjithë ne jemi arizonas dhe që me unitet të qartë të themi Zoti president, kryeni punën tuaj dhe siguroni kufijtë tanë”, tha Palin.

I miratuar në prill, ligji kërkon nga imigrantët në Arizonë që gjatë gjithë kohës të mbajnë me vete dokumentet e regjistrimit dhe i lejon policisë që të vënë në dyshim statusin e imigrantëve individualë.

Kritikët kanë theksuar se ky ligj do të rezultojë me profilizim racor, ndërsa përkrahësit e ligjit e mohojnë këtë dhe theksojnë se ligji nevojitet për të luftuar krimin, në të cilin janë të përfshirë imigrantët ilegalë.

Obama ka kritikuar ligjin në Arizonë, duke theksuar se gjatë përballjes me çështjen e imigracionit, përgjigjja nuk është minimi i parimeve thelbësore, të cilat e definojnë kombin.

“Mund të imagjinoni se nëse jeni hispanik në Arizonë, stërgjyshërit tuaj ndoshta kanë jetuar aty, para se Arizona të bëhej shtet. Por tani, nëse nuk ke me vete letrat, mund të abuzohesh”, ka theksuar Obama.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›