E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pallatet me 9 kate, ndërtimet brenda qershorit

Lorina Mixha

Projektet e detajuara vendore mbyllen deri në maj. Zonat e larta, sipas planit urbanistik

Lorina Mixha

pallateMuaji qershor do të jetë vendimtar për të gjitha subjektet e ndërtimit që do të nisin punën për realizimin e pallateve dhe ndërtesave me 9 kate por edhe më shumë. Plani urbanistik i qytetit të Tiranës, i quajtur si kushtetuta e zhvillimit dhe projektimit të qytetit të së ardhmes, ka vendosur disa piketa lidhur me mënyrën se si do të ndërtohet, ku do të ndërtohet dhe cilat do të jenë zonat ku do të zhvillohen banesat me 9 apo më shumë kate. Por planet e detajuara vendore, të përcaktuara në këtë plan si PVD, po mbyllen fillimisht për katër zonat kryesore të qytetit. Njësitë bashkiake ku po punohet për realizimin e studimeve nga grupet e përcaktuara nga bashkia por edhe nga subjektet e ndërtimit janë kryesisht të qendrës së qytetit. Ndërtimet e para do të nisin rreth zonës së qendrës.

basha plani urbanistik

Bëhet fjalë për ato ndërtime ku pallatet që do të ngrihen do të kenë 9 kate, por edhe më shumë, nëse subjektet do të paraqesin një studim të plotë dhe nëse do të ofrojnë konstruksione të veçanta, do të sjellin vlera dhe struktura moderne për qytetin e Tiranës. Projektet e detajuara vendore të katër njësive bashkiake, qendrës, do të jenë gati të paktën deri në javën e parë të muajit maj. Puna për ndërtimet dhe detajet se si do të zhvillohet qendra e Tiranës sipas planit rregullues të qytetit të Tiranës, miratuar në fillim të këtij viti, do të përcaktohet pikërisht në këto plane të njohura si PDV. Për katër njësitë bashkiake të Tiranës, për njësinë numër 5, numër 2, numër 7 dhe 9, puna ka filluar dhe pritet të përfundojë deri më 30 prill, ndërkohë që po vijon puna normalisht nga subjektet ndërtuese për projektet e tyre të konstruksionit, kryesisht për zonat 30 për qind të formuara. Aplikimi për të marrë lejet e ndërtimit ka nisur rreth dy muaj më parë, ndërkohë që kompetencat për miratimin e lejeve dhe gjithçka tjetër i është lënë bashkisë së kryeqytetit, zyrës së urbanistikës dhe kryebashkiakut të Tiranës i cili ka autoritetin për të firmosur e vulosur lejen e ndërtimit. Planet e detajuara vendore do të përgatiten nga grupi i punës i ngritur nga bashkia e kryeqytetit për zona dhe ndërtime të veçanta. Studimet për këto konstruksione do të vendosen pas ekspertizës që bëjnë specialistët, ndërkohë që për ndërtime të thjeshta, apo në rastet kur subjekti mund të ketë kapacitete dhe metodologji, e bën vetë studimin dhe e dorëzon në bashki së bashku me procedurat dhe dokumentet e tjera të kërkuara për pajisjen me leje ndërtimore.

Në zonën e ekspozitës Shqipëria Sot, sipas planit urbanistik, aktualisht ka ndërtime të larta, por kjo nuk rezulton sipas ekspertizës së kryer kohët e fundit nga specialistë mjedisorë, arkitektë, njohës të trashëgimisë kulturore. Në këtë zonë, sipas planit, do të kemi zhvillime të strukturave të larta. Lartësia e propozuar është 9 kate. Zona e lodrave te 7 xhuxhat parashikohet të ndërtohet për njësi banimi dhe shërbime publike. Në zonën te lulishtja e Vëllezërve Frashëri, kemi banim dhe shërbime publike, zhvillime të strukturave të larta.

Sipas planit të përgjithshëm, lulishtja para Bibliotekës Kombëtare do të kthehet në nënnjësi e përzier (mikse) banim, shërbime publike dhe do të shkojë për përdorim të veçantë për qëllime fetare. Lartësia e propozuar për strukturat e kategorisë banim është 9 kate në këtë zonë. Parku prapa Pallatit të Kulturës është propozuar të ketë zhvillime të strukturave të larta. Lartësia e propozuar për banim është 9 kate. Zona e gjelbër te SHQUP-i do të kthehet në sipërfaqe ndërtimi, për qëllime banimi, shërbime publike, monument kulture dhe qëllime fetare. Lartësia e propozuar për strukturat e kategorisë banim është 9 kate. Fusha e sportit prapa stadiumit Qemal Stafa do ti korrespondojë nënnjësive të përziera, banim dhe shërbime publike. Lartësia e propozuar për banim është 9 kate. Te shkolla Kosova do të kemi nënnjësi të përzier banimi dhe shërbime publike. Lartësia e propozuar për strukturat e kategorisë banim është 7 kate.

Zonat ku parashikohet të ndërtohet banim me 9 kate

  •  Lulishtja para Bibliotekës Kombëtare – Banimi është 9 kate
  •  Parku prapa Pallatit të Kulturës – Lartësia 9 kate
  •  Zona e gjelbër tek SHQUP-i – Banimi është 9 kate
  •  Fusha e sportit prapa stadiumit Qemal Stafa – Lartësia 9 kate
  •  Shkolla Kosova – Banimi është 7 kate
  •  Ekspozita Shqipëria Sot – Lartësia 9 kate
  •  Zona e lodrave te 7 xhuxhat – Banimi është 9 kate
  •  Zona poshtë digës – Lartësia 9 kate
  •  Ndërtimet mbi digë – Lartësia 9 kate

Pallatet me 9 kate, ndërtimet brenda qershorit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›