Rikthehen fantazmat e kërkimit të naftës në detin Adriatik
METE
Prej më shumë se 20 vitesh, shteti shqiptar ka firmosur me dhjetëra marrëveshje me vlerë qindra milionë dollarë për kërkimin e naftës në tokë dhe det, por pak herë ka publikuar rezultatet e kontratave. Mjafton të përmendim faktin se kur qeveria nxori në shitja Albpetrol-in, askush nga zyrtarët nuk ishte në gjendje të tregonte se sa është rezerva e hidrokarbureve në nëntokën shqiptare që privatizohej, ose akoma më keq, kur shifrat ndryshonin nga njëra deklaratë në tjetrën.
Si rrjedhojë e mungesës së kontratave serioze dhe e zbatimit të ligjit kanë bërë të mundur që shumë investitorë të vijnë dhe të ikin pa marrë vesh se çfarë rezultati nxorën me nëntokën shqiptare. E fundit, në kuadër të marrëveshjeve me kompani të huaja, është pakti i firmosur dje, me shoqërinë San Leon, për kërkim dhe shfrytëzim hidrokarburesh në detin Adriatik, pranë Durrësit. Historia e kërkimit të naftës në këtë zonë është e gjatë dhe e komplikuar, për shkak edhe të ndërrimit të kompanive në marrëveshje, duke shkaktuar kaos me identitetin se cila shoqëri po merret seriozisht me projektin. Edhe dje, Ministria e Ekonomisë doli para mediave, dhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë, tha se, kishte firmosur dokumentin për amendimin (ndryshimin) e Marrëveshjes për Hidrokarbure me kompaninë San Leon Durrësi B.V. Pra, ne nuk dimë se çfarë përmbante kontrata e parë, cilat ishin detyrimet dhe afatet, por megjithatë, METE njoftoi me gëzim për marrëveshjen e radhës. Sipas Eno Bozdos, marrëveshja shumë e rëndësishme për industrinë e hidrokarbureve në Shqipëri, garanton një investim rreth 250 milionë dollarë në periudhë kohore 2-vjeçare.
Mësohet se në vitin 2014 do të merren rezultatet e të dy puseve që shpohen, nga ku qeveria shqiptare shpreson të nxjerrë rezervat e para të hidrokarbureve, gazit dhe naftës nga nëndeti. Jam i sigurt se një gjë e tillë do të ndodhë, duke parë edhe optimizimin që vjen nga të dhënat nga hartat 3D të sizmikës e bërë në bregdetin shqiptar, si dhe nga fakti që ne besojmë se aty ka rezerva të konsiderueshme të hidrokarbureve, deklaroi Bozdo pas marrëveshjes. METE nuk tha se kur ka nisur projekti, pse iku shoqëria që firmosi e para kontratën, deri sa zgjat kërkimi, dhe çfarë të dhënash paraprake ka nxjerrë studimi i kryer, nga ku pretendohet se në nëntokën e detit ka naftë dhe gaz.
A.K
Rikthehen fantazmat e kërkimit të naftës në detin Adriatik burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email