E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paloka: Të ndahen postet partiake nga ato qeveritare

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka flet për riorganizimin e partisë

TIRANË- Tre vite qeverisje e Partisë Demokratike, ku shumica e sekretarëve të partisë mbajnë edhe nga një post ministror, ka sjellë domosdoshmërisht edhe rishikimin e këtyre raporteve, për shkak të qëndrimit në hije të strukturave të partisë. Për këtë arsye, deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka e shikon të domosdoshme ndarjen e këtyre posteve, duke sugjeruar edhe ndryshime në Statut. Në një deklarim për mediat, deputeti demokrat është shprehur edhe për përzgjedhjen e deputetëve, që, sipas tij, nuk ndryshon nga eksperienca e kaluar. “Propozimet kanë ardhur nga degët dhe pastaj kryesia ka shqyrtuar të gjitha kriteret që ne kemi përcaktuar për këto raste dhe kemi zgjedhur atë që kemi besuar se është kandidatura më e mirë. Besoj se kështu do të funksionojë prapë, nuk ka ndonjë ndryshim të madh”,- tha dje Paloka. Deputeti i Partisë Demokratike shpjegon edhe mënyrën e funksionimit të strukturave të partisë, duke theksuar se me reformën e re zgjedhore, pritet të ketë edhe një riorganizim për t’ju përshtatur sa më mirë Kodit të ri Zgjedhor. “Deri tani ne kemi funksionuar si parti elektorale e organizuar në bazë të zonave elektorale. Pra ka pasur çdo zonë strukturën e saj. Konkretisht, Tirana ka pasur për çdo zonë një nëndegë partie dhe me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, strukturat e PD-së do të përshtaten sa më mirë që në zgjedhjet e ardhshme mënyra e zgjedhjes së kandidatëve dhe bërjes së fushatës të jetë e përshtatur me Kodin e ri Zgjedhor”,- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›