E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë: S'ka lajme nga Shkupi e Podgorica

Prishtina nuk ka njoftime zyrtare për mundësinë e njohjes më të shpejtë të Kosovës nga Maqedonia e Mali i Zi. Lajmi u bë i ditur sot nga Radio Evropa e Lirë.

Njohja e Kosovës nga vendet fqinje, përkatësisht Maqedonia e Mali i Zi, mbetet një prej çështjeve që konsiderohet se është në interes të Kosovës, por aktualisht në Prishtinë nuk ka sinjale të reja nga këto dy vende.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Kosovës, Albana Beqiri theksoi se Qeveria e Kosovës po i vazhdon kontaktet me qeveritë maqedonase dhe atë të Malit të Zi, që vendimi për njohjen e Kosovës të merret sa më shpejt.

“Ne vazhdojmë të qëndrojmë në të njëjtat pozita sa i përket kësaj çështjeje, vazhdojmë t'i kemi të njëjtat sinjale se fqinjët, veçmas Maqedonia dhe Mali i Zi, do ta njohin Kosovën dhe nuk kanë dilema sa i përket këtij procesi. Por, ende definitivisht, ne nuk mund të flasim apo spekulojmë për një datë të saktë”, theksoi për Evropa e Lirë, Albana Beqiri.

Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri deklaroi se vendet fqinje edhe zyrtarisht kanë dërguar sinjale për njohjen e Kosovës, pavarësisht se ato ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Sipas tij, njohjet reciproke dhe raportet e mira ndërfqinjësore janë jo vetëm në interesin e Kosovës, por edhe të vendeve tjera të rajonit.

Kosova është njohur si shtet i pavarur e sovran nga 46 vende. Prej tyre, edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 21 vende anëtare të Bashkimit Evropian.(REL/ INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›