E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pamjet e Shqipes

Të enjten, nga ora 19, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës - kompleksi ‘Qafa’, në Prishtinë, hapet ekspozita e autores Shqipe Mehmeti.

Parathënien me rastin e kësaj ekspozite e ka shkruar kritiku i artit, Emil Aleksiev. Sipas tij, në punimet e Mehmetit ri-ballafaqohemi me fshehtësinë e krijimit.

“Ajo përpiqet t’i zbulojë pamjet e vërteta, pamjet prapa pasqyrës së thyer të botës, pamjet prapa të gjitha pamjeve tjera. Këto pamje janë themelore, pamje ku hidhen, braktisen e zhduken format e rastit dhe të përkohshmet, pamjet e kota, ndryshimet e sipërfaqes – këto i zbulojnë zemrat e gjërave”, shkruan Aleksiev.

Sipas tij, Mehmeti i krijon veprat nga materia e brendshme e pamjeve: nga elementet prej së cilave është krijuar bota – uji, ajri, toka dhe zjarri. “Gjithçka krijohet me bashkimin e këtyre elementeve. Dashuria (afiniteti) është forca që e mundëson bashkimin e tyre. Bazë e veprave është errësira. Në errësirë fillon lëvizja që shkakton kaos. Mbi veprën sundojnë forca tmerruese. Të kundërta me njëra-tjetrën, ato shprehin lëvizjen e kundërt, kështu që, atë që e shohim është rezultante e ndeshjes së këtyre forcave”, shprehet tutje Aleksiev.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›