Panairi i Lajpcigut hap dyert për Shqipërinë
Panairi i Librit në Lajpcig, që hapet nga data 17-20 mars 2011, do të ketë këtë vit në qendër letërsinë ballkanike. Për herë të parë në panair Shqipëria prezantohet me stendën e saj.
Mbi 70 shkrimtarë nga 11 vende ballkanike prezantohen në 100 aktivitete të ndryshme në katër ditët e panairit të Librit në Lajpcig (17-20 mars 2011). Këtë herë temë kryesore panairi ka Serbinë. Alida Bremer është e kënaqur që më në fund arriti t'i sjellë shqiptarët në panairin e librit në Lajpcig. Përkthyesja dhe koordinatorja e programit Traduki për vendet e Ballkanit ka vite që po e nxit këtë pjesëmarrje. Shkrimtarja kroate Alida Bremer shprehet për Deutsche Welle-en se: “Është një vend shumë sharmant dhe ka shumë shkrimtarë të rinj dhe me humor, që na ndihmojnë ta ndryshojmë imazhin që ka letërsia jonë në Europë, si letërsi e gjyshërve” thotë ajo. Bremer është kroate me origjinë, por për vite me radhë është angazhuar me të gjitha forcat që letërsia ballkanike të prezantohet si bashkësi në Gjermani. “Kështu kemi më shumë kolorit dhe larmi”, argumenton Bremer. Falë angazhimit të fondacioneve S. Fischer, Robert Bosch dhe qeverisë gjermane, por edhe falë angazhimit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, që arriti të përfshinte në këtë projekt edhe Ministrinë e Kulturës, Shqipëria këtë vit do të ketë stendën e saj. Në një sipërfaqe 16 metra katrorësh do të prezantohen pesë shtëpi botuese: "Dituria", "Onufri", "Omsca", "Ideart" dhe "Fan Noli"; dhe pesë shkrimtarë relativisht të rinj, por tashmë të afirmuar: Ervin Hatibi, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, Ledia Dushi e Albana Shala. Ndërsa për publicistin dhe përkthyesin Ardian Klosi, i cili e viziton shpesh Panairin e Lajpcigut, kjo është një ngjarje shumë pozitive për letërsinë shqiptare. “Lajpcigu është panairi më i madh i botës gjermane për sa i përket paraqitjes së letërsisë dhe pranisë së shkrimtarëve. Është një nder i madh dhe meritë si e Ministrisë së Kulturës ashtu edhe e partnerëve gjermanë”, thotë Klosi për Deutsche Welle-en , i cili në prezantimet e letërsisë shqiptare ka përfshirë edhe shkrimtarin me banim në Rumani, Ardian Kyçyku. Në panairin e sivjetshëm, ku Ballkani është si kurrë më parë në qendër të vëmendjes, do të dominojë Serbia, si vendi mysafir. Vetëm katër vjet më parë vendi ballkanik mori pjesë në këtë panair për herë të parë dhe arriti që brenda një kohe shumë të shkurtër të zinte një vend kaq të rëndësishëm. Vitin e kaluar tema e panairit ishte Kroacia, dhe Alida Bremer e di fare mirë se çfarë ndryshimi ka pësuar që atëherë perceptimi i letërsisë kroate në Gjermani. “Para se Kroacia të bëhej vend mysafir i panairit (2010) ishte e pamundur të shisje një letrar kroat nëpër shtëpi botuese serioze”, thotë Bremer. Tani është vetëkuptueshme dhe shtëpitë botuese e kanë kuptuar se edhe letërsia kroate është si ajo franceze, italiane apo spanjolle.” Këtë rrugë tani po e ndjek edhe Serbia. Në prezantimin e saj këtë vit ajo do të sjellë mbi 30 shkrimtarë dhe ka investuar shumë në imazhin dhe dezajnon e stendës. Kosova në të kundërt, as që është përpjekur t'i tregojë botës që ka edhe një treg letrar të pavarur. Pjesëmarrja e katër shkrimtarëve nga Kosova, Ilir Gjocaj, Shkëlzen Maliqi, Arben Idrizi dhe Jeton Nezirajt, është mundësuar vetëm falë projektit Traduki. E njëjta gjë vlen edhe për shkrimtarët nga Maqedonia e Mali i Zi, të cilët do të prezantojnë prozë dhe poezitë e tyre së bashku me kolegët e tyre nga Ballkani, ndër të tjera edhe në të ashtuquajturën natë ballkanike, më datën 20 mars. Në mbrëmjen me titullin "Ballkani bën rock" Shqipëria prezantohet edhe nga ana muzikore me grupin Akustika.