E Diel, 1 Nëntor 2026

Universiteti "LuigjGurakuqi", titull nderiprofesorit amerikan

SHKODËR- Prof. Ted Oelfke nga Sandhills Community College, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u nderua sot nga Senati i Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi" me titullin "Profesor Nderi", me motivacionin "për ndihmesë të çmuar në bashkëpunimin midis Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Shkodrës dhe Kolegjit Sandhills në Karolinën e Veriut, për mbështetje të sigurtë në procesin arsimor dhe në kualifikimin shkencor të stafit akademik".

Rektori i Universitetit të Shkodrës, Artan Haxhi, tha në ceremoninë e organizuar me këtë rast, se prania e profesor Ted Oelfke, Drejtor i Departamentit të Turizmit të Sandhills Community College të Karolinës së Veriut në qytetin e Shkodrës u realizua në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Shkodrës dhe Sandhills Community College më 28 Maj 2008.

Gjatë këtyre viteve, prof. Ted Oelfke ka dhënë mësim në cikle të ndryshme të studimit në lëndët "Pijet dhe menaxhimi i ushqimit", "Marketingu i turizmit ndërkombëtar", "Menaxhimi i burimeve njerëzore", etj. Prof. Oelfke ka dhënë gjithashtu një kontribut të madh në përgatitjen e dosjes për hapjen e programit të studimit doktoral në Fakultetin e Ekonomik të Universitetit të Shkodrës, si dhe ka ndihmuar jo vetëm në fushën akademike, por dhe në atë sociale dhe humane, duke i ofruar Universitetit të Shkodrës 130 libra, që ndihmojnë në përgatitjen e lëndëve të ndryshme, të programeve të studimit Bachelor dhe Master. Pjesë e kësaj ndihme janë edhe dhurimi që ai i bëri Universitetit të Shkodrës të disa pajisjeve si kompjutera dhe dy video projektorë për stafin dhe studentët e fakultetit të Ekonomikut.

Profesori amerikan Ted Oelfke, pas marrjes së titullit, shprehu kënaqësinë që pati rastin të bashkëpunonte gjatë kësaj periudhe me Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, që sipas tij, ishte një ndër përvojat më interesante që ka kaluar gjatë karrieres së tij akademike.
"Ky titull që më akordohet nga Universiteti i Shkodrës, më obligon edhe më tepër që të vazhdoj bashkëpunimin e mirëfilltë, jo vetëm me të, por edhe me struktura të tjera vendore të këtij qyteti, për të konkretizuar projektet të tjera dy palëshe në dobi të stafit akademik, studentëve dhe komunitetit shkodran në përgjithësi", tha Prof. Ted Oelfke.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›