Shqipëria përfaqësohet me artistët bashkëkohorë
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Edicionin e 54-të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, që mbahet nga data 1 qershor - 27 nëntor 2011 do të sjellë 5 artistë të rinj që përfaqësojnë atë që etiketohet si kërkimi artistik bashkëkohor shqiptar. “Drejtoresha e bienales, Bice Curiger, u shpreh se janë përcaktuar pjesëmarrjet kombëtare në Bienalen e ardhshme, bashkë me emrat e artistëve zyrtarisht të ftuar. Komisioneri i Pavionit të Shqipërisë, Parid Teferici, dhe kuratori Riçardo Caldura kanë bërë përzgjedhjen e 5 artistëve shqiptarë që do të përfaqësojnë artin bashkëkohor në Venecia. Ata janë: Anila Rubiku, Orion Shima, Gentian Shkurti, Eltjon Valle dhe Driant Zeneli. Përzgjedhja e pesë artistëve është bërë pas takimeve të kryera në Shqipëri dhe jashtë saj, duke pasur parasysh përvojat kombëtare dhe ndërkombëtare të artistëve të marrë në konsideratë, duke konsideruar larminë e qasjeve stilistike dhe formale, në mënyrë që të paraqitet një spektër sa më i gjerë i kërkimit artistik bashkëkohor shqiptar. Ka qenë kuratori Riçardo Caldura i cili në fund ka vendosur emrat e 5 artistëve shqiptarë që do të shkojnë në Bienalen e Venecias. Titulli i zgjedhur për këtë ekspozitë është “Geopathies”, i cili mbështet idenë kuratoriale të evidentimit të një raporti të ngushtë mes veprës së artit dhe kontekstit gjeografik, historik dhe shoqëror të vendeve pjesëmarrëse. Pavijoni shqiptar do të jetë në Giudeça, në një nga pikat më tërheqëse të Venecias, përballë Akademisë së Arteve të Bukura.