E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panairi i Librit “Biznesi” më pak tituj të rinj për lexuesin

08/11/2011  Një organizim tregtar apo një ngjarje në shërbim të kulturës së librit?! Kjo është pyetja që shtrohet kur vjen fjala për Panairin e Librit në Tiranë, një aktivitet tashmë i kthyer në traditë e që sivjet do të shënojë edicionin e tij të radhës më 9-13 nëntor. Organizuar nga Shoqata e Botuesve të Shqipërisë me pjesëmarrjen e botuesve shqiptarë edhe përtej kufijve shtetërorë, nga Kosova e Maqedonia, Panairi konsiderohet prej organizatorëve si ngjarja më e madhe kulturore në vend.

Veç prezantimit dhe promovimit të librave në salla të veçanta, në programin e Panairit ka një aktivitet për arbëreshët në kuadër të 150-vjetorit të Bashkimit të Italisë dhe merr pjesë një bandë interesante rroku, “Reggea Arbëreshe: Spasulati Band”.

Nga Italia do të jetë i pranishëm një shkrimtar i njohur atje, Sebastiano Grasso, i cili do të prezantojë librin me vjersha “Ti në grackë, nën qepallë”.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve, botuesit të “Diturisë”, Petrit Ymeri, në Panair do të ketë libra dhe autorë të mirë.

Në listën zyrtare të panairit janë shënuar emrat e këtyre autorëve të rëndësishëm vendas: Arshi Pipa, Moikom Zeqo, Faslli Haliti, Klara Kodra, Adrian Civici, Nasi Lera, Ndriçim Kulla, Agron Tufa, Kiço Blushi, Ben Blushi, Dritëro Agolli, Uran Kalakulla, Nasho Jorgaqi, Blendi Fevziu, Shkëlzen Maliqi, Spartak Ngjela etj. Ndërsa në listë, nga autorët më të rëndësishëm të huaj me vepra në shqip, shënohen emrat e Umberto Eco-s, Herta Müller, Orhan Pamuk, Dominique Moisi, Joachim von Ribbentrop, Jules Verne, Tony Blair, Jorge Luis Borges, Pietro Grasso, Alan Bradely, Virginia Woolf, Samuel Beckett, Simona Cerrato, Tom Rob Smith, Johann Gottlieb Fichte, Nikos Sideris, Jackie French, Geoff R. Berridge.

Në të njëjtën kohë këta janë edhe atë që konkurrojnë për çmimet që Panairi i Tiranës jep tradicionalisht. Një juri njerëzish profesionistë vlerësojnë autorin e vitit, Përkthyesin e vitit dhe librin më të mirë për fëmijë. Stendën me paraqitjen më të mirë grafike e zgjedhin gazetarët e kulturës, mendimin e të cilëve e merr një kolege.

Nuk do të mungojnë as promovimet e shumta, gjithsej 40 të tillë: 27 në sallë, 13 në stendë.

Nga Kosova marrin pjesë 14 botues, “një numër mjaft i lartë krahasuar me vitet e kaluara”, nga Italia, Instituti Italian i Kulturës ka stendën e vet dhe Gjermania të vetën me Rrjetin e Përkthimeve “Traduki”.

Për këtë vit titujt e rinj janë më pak: 965, krahasuar me 2010-ën, kur titujt e rinj ishin 2692.

Sipas botuesit Ymeri, kjo situatë nuk ndeshet vetëm në Shqipëri, pasi edhe Panairi i Frankfurtit “kishte më pak tituj të rinj se një vit më parë. E njëjta gjë binte në sy edhe te botuesit francezë, italianë… Botimet janë biznes i mesëm dhe botuesit duhet të jenë të kujdesshëm. Nëse fuqia blerëse është e ulët, botuesi s’mund të bëjë aventura. Kjo gjendje ka ndikuar në rritjen e të drejtës së autorit dhe në uljen e tirazheve”.

Ndërsa për sa i përket nëse do të ketë ulje çmimesh në panair dhe sa të ndjeshme do të jenë ato, sipas Ymerit, “shtëpitë botuese inkurajohen nga Shoqata që t’i ulin çmimet, por ajo nuk iu imponohet dot, si atyre që e përgjysmojnë çmimin, edhe atyre që shesin me çmim kopertine”.

Ajo që përmendet nga organizatorët është performanca e artistit Robert Aliaj, që do t’i vërë fëmijët të improvizojnë direkt vizatime me motive mbi librin dhe leximin, në një aktivitet të quajtur “Fëmijët në lëndinën e librit”. Panairi i Librit “Tirana 2011” do të çelet nesër për vijuar deri më 13 nëntor në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Sipas të dhënave të organizatorëve për edicionin e kaluar, Panairi i Tiranës është vizituar nga 60.000 njerëz dhe gjatë pesë ditëve janë shitur 200 mijë libra. Të ardhurat nga panairi, deklarohen mbi 20 milionë lekë.

Ble. Go

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›