E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet për ushtarakët, 236 përfituesit e rinj

08/11/2011  Instituti i Sigurimeve Shoqërore detajon përfitimet e parakohshme dhe ato suplementare të pleqërisë

Ndarja e plotë për Tiranën, Vlorën, Elbasanin, Beratin, Fierin e Shkodrën

Sigurimet shoqërore detajojnë listën e përfituesve të rinj në radhët e ish ushtarakëve, të cilëve u është caktuar masa e pensionit pas llogaritjeve të kryera. Gjatë ditës së djeshme është zbardhur edhe lista e 236 përfitimeve të reja të konfirmuara nga ekspertët gjatë dy ditëve të fundit. Në tabelën bashkangjitur shkrimit do të gjeni të plotë përfituesit e rinj që i shtohen skemës së pensioneve për ushtarakët e dalë në rezervë duke bërë specifikimet sipas llojit të pensionit. Tashmë, procedurat e llogaritjes nga përfitimet e parakohshme kanë kaluar edhe tek pensionet suplementare të pleqërisë, si dhe llogaritjet për të liruarit para vitit 1991. Gjatë muajit të fundit procesi i llogaritje ka vijuar me ritme më të shpejta si rrjedhojë e strukturave të shtura në radhët e organeve përgjegjëse që sigurojnë të dhënat e kërkuara për aplikuesin. Konkretisht. Procesi i llogaritjes së pensionit përfundon brenda një kohe të shkurtër nga organet e sigurimeve shoqërore, sapo institucionet përgjegjëse të depozitojnë të dhënat e kërkuara për secilin aplikues. Llogaritja e përfitimit varet nga të dhënat që institucionet përgjegjëse do të depozitojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Vetëm pas marrjes së këtyre të dhënave ISSH-ja mund të përcaktojë masën e pensionit të parakohshëm që do të shkojë për secilin aplikues. Në kërkesat e dërguara ministrive sigurimet shoqërore kanë kërkuar prej tyre plotësimin e dy formularëve: një për vërtetimin e vjetërsisë së shërbimit dhe të pagës mesatare referuese dhe një për pagën referuese në muajin e lindjes të së drejtës për përfitim. Plotësimi dhe dorëzimi i këtyre të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe SHISH-i i hap udhë të menjëhershme procesit të llogaritjes së ndarjes së parave. Sipas përcaktimeve të bëra, pritet që nga skema e pensioneve për ish-ushtarakët të përfitojnë rreth 22 mijë aplikues në të gjithë vendin.

Profesionet e rregulluara

Studentët, stazhi do kryhet pa pagesë

Një deri në tre vjet do të jetë periudha e stazhit që studentët e diplomuar në degë të caktuara si inxhinier, mësues, farmacist, mjek apo dentist, duhet të kryejnë në mënyrë që të gëzojnë një licencë të vlefshme profesioni. Me ndryshimet e bëra në ligjin për profesionet e rregulluara,(licenca e të cilave do të jepet vetëm pas marrjes së provimit të shtetit), saktësohet se kjo periudhë stazhi do të jetë detyrim për tu afirmuar më pas në tregun e punës. Ndryshe nga sa ka ndodhur në vitet e shkuara, tashmë studentët nuk do të paguhen për vitet e stazhit, duke i renditur ata në radhët e vullnetareve. Në këto kushte studentet që do të dërgohen në vende të caktuara për të kryer këtë praktikë profesionale, e cila parashikohet të jetë një vjeçare për degët e inxhinierive, si dhe deri në tre vite për profesione të caktuara mjekësore nuk do të ketë pagesë të veçantë me përjashtim të njohjes së tyre në skemën e kontributeve shoqërore. Ekspertët shtojnë me tej se për kjo periudhë stazhi që studenti do të kryejë do të njihet si vjetërsi pune. Çka do thotë se e gjithë kjo periudhë do të njihet si vjetërsi kontributeve për efekt të pensioneve, duke qenë se do tu paguhen sigurimet shoqërore nga shteti. Njëkohësisht bëhet me dije se vendi ku studenti do të shpërngulet për të kryer stazhin do të përcaktohet nga dikasteret përkatëse sipas llojit të arsimimit që ka kryer. Por, ndryshimet e bëra në këtë ligj ndryshe nga sa pretendohet se do tu vijë në ndihmë studentëve për të përvetësuar profesionin, janë kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës. Këta të fundit e kanë konsideruar këtë si problematike, duke qenë se për një kohë të gjatë studenti nuk do të marri pagesën përkatëse për stazhin që ka kryer në profesionin përkatës. Në ligjin e mëparshëm studentët paguheshin deri në 50 për qind të pagës, ndërsa tani atyre do t’u paguhen vetëm sigurimet shoqërore, për efekt të pensioneve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›