E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Panairi i Punës në Athinë, Rama: Do t’i kthejmë në traditë, thyejmë stereotipin se në Shqipëri ka paga të ulëta

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Të dielën e 2 marsit zhvillohet në Athinë Panairi i Punës me sipërmarrës e biznese shqiptare që do ofrohen për shqiptarët atje.

Panairi i punës “Puno dhe jeto aty ku ke zemrën” do të ketë të pranishëm edhe Kryeministrin Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij “Sy m’sy’”, shpjegoi projektin e panairit duke theksuar se do të ketë vazhdimësi, duke e kthyer në traditë gjatë mandatit të katërt.

Kreu i qeverisë u shpreh i bindur se në mandatin e katërt do bëhet më shumë për emigrantët në Greqi dhe se do jetë një fillim i mbarë. Ai i ftoi shqiptarët të ktheheshin për të punuar dhe investuar, edhe nëse do të donin të zgjidhnin të qëndronin në vendin fqinj, sipas dëshirës.

Rama theksoi se synon që të lidhë procesin e negociatave për anëtarësim, me procesin e nxitjes së kthimit për të investuar në Shqipëri.

“Kemi një panair të madh në Athinë më 2 mars, në një ditë të gjatë me shumë aktivitete ku synojmë të vëmë në kontakt të drejtpërdrejtë shumë kompani shqiptare të Shqipërisë në ndërtim, turizëm dhe inovacion me bashkatdhetarët tanë në Athinë, dhe gjithë materiali do të jetë pastaj në dispozicion dhe në një faqe web online ku të gjithë do të mund hyjnë dhe të shikojnë mundësitë ku janë dhe të lidhin kontrata pune në Shqipërisë qoftë për turizmin, qoftë edhe gjithëvjetore, për fusha të ndryshme”, u shpreh Rama.

“Sfida është të thyejmë këtë stereotipin sipas të cilit pagat në Shqipëri janë shumë të ulëta, mundësitë e pakta, ta thyejmë stereotipin me fakte konkrete me pasqyra konkrete që janë të aksesueshme dhe në të cilat mund të shihen modelet e kontratave dhe kushtet”, theksoi Rama.

“Besoj se do të jetë një fillim i mbarë, natyrisht është vetëm hapi i parë, këta panaire do t’i bëjmë traditë në muajt dhe vitet e mandatit të katërt, sepse do ta lidhim shumë fort gjithë procesin e negociatave për anëtarësim me procesin e nxitjes së kthimit për të investuar apo për të punuar këtu në Shqipëri. Kur flas për kthim, jo vetëm ngritjen e plaçkave dhe kthimin përfundimtar, por kam parasysh edhe kthimin e pjesshëm. Në të gjitha rastet do të jetë një përfitim reciprok qoftë për ata që kthehen qoftë për ata që investojnë kursimet e tyre këtu”, tha Rama.

Në një ndërhyrje telefonike, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja informoi se në panair do të ketë agjenci dhe institucione shqiptare që janë të specializuara për punësimin.

“Të gjithë këta do i mirëpresin ata vizitorët e bashkatdhetarët tanë me lajmë të mira me kontrata puna gjatë gjithë ditës me 2 mars”, shtoi ai.

Gonxhja bëri më dije se për herë të parë qeveria shqiptare do t’i dedikojë edhe një website diasporës mbi ofertat e punësimit.

“Po dhe jo pa qëllim tani vetë emërtohet panairi “Puno dhe jeto aty ky ke Zemrën”. Për herë të parë qeveria shqiptare i dedikon diasporës edhe një website të ri mbi ofertat e punësimit në sektorin privat por edhe publik dhe e kemi thjeshtuar në domain migrant.puna.gov.al ose punonëshqipëri.gov.al, janë dy në mënyrë që të jenë në të dy krahët të aksesueshëm, ku ofrojmë informacion të vlefshëm mbi integrimin, dhe programet mbështetëse mbi familjen strehimin formimin profesional apo edhe fillimin e një biznesi”, tha Gonxhja. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›