Panairi i Shalqirit në Lushnje, Ekonomi: Synojmë trefishimin e eksporteve

Fermerët në Lushnje janë të kënaqur nga prodhimi dhe cilësia e shalqirit dhe pjeprit për këtë vit. Ata thonë se po eksportojnë jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë e më tej. Në panairin e parë të shalqirit, organizuar mbrëmjen e së shtunës në Lushnje, ministrja Ekonomi tha se sfidë mbetet trefishimi i eksporteve.
Lushnja, përfaqësuesja e denjë e prodhimeve shqiptare në tregun rajonal e atë evropian, organizoi për herë të parë një panair të prodhimeve të shalqirit e pjeprit. Eksportuesit nuk e fshehin kënaqësinë se prodhimi ka qenë i mbarë dhe ka gjetur treg jo vetëm brenda vendit. Për ministren e bujqësisë, Milva Ekonomi ky panair tregon përparësinë që ka marrë prodhimi i shalqirit në Lushnje i cili sot mbillet nga 250 fermerë në mbi 2 mijë hektarë tokë.
Në fund të panairit u ndanë cmime për prodhuesit. Lushnja ka 38 qendra grumbullimi të frutave dhe perimeve për eksport dhe bostani dhe pjepri kanë mbi një muaj e gjysëm që po tregtohen në Evropë.