Panariti: Heqja e përmendores së UÇPMB-së në Luginë destabilizon të gjithë Ballkanin
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti, në një intervistë dhënë “Radio Dukagjinit”, ka deklaruar se heqja me dhunë e përmendores të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në qendër të Preshevës, do të tensiononte të gjithë Ballkanin.
“Duhet parë edhe më gjerë, ky është një kontribut shumë negativ i acarimit të situatës dhe krijimit të tensioneve në atë rajon që mund të ketë ndikim në të gjithë Ballkanin”, ka thënë Panariti.
“Serbia duhet të jetë e përgjegjshme dhe të mos ndërmerr akte ekstreme siç është heqja me dhunë e përmendores së UÇPMB-së. Një gjë e tillë prek ndjenjat dhe cenon të drejtat e shqiptarëve të Luginës”, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme te Shqipërisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka cilësuar qëndrimin e Serbisë lidhur me përmendoren e UÇPMB-së provokim për shqiptarët. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç dhe Kryeministri, Ivica Daçiç kanë vënë datën 17 janar afatin e fundit për heqjen e monumentit. Sot Daçiç ka kërkuar që të arrihet një marrëveshje për këtë çështje.