"Tifozat Kuq e Zi": Do e kthejmë në festë me Norvegjinë
Interesimi për sfidën zyrtare eliminatore Shqipëri-Norvegji, parashikuar të luhet në Tiranë në datën 7 qershor është i jashtëzakonshëm. Besnikët e Kombëtares shqiptare "Tifozat Kuq e Zi", kanë nisur organizimet shumë më herët. Olsi Sula, përfaqësues për Tiranën, ka thënë për "Asport" se interesimi është tejet i madh për këtë ndeshje. "Çdo ditë marrim shumë telefonata, e-maile për anëtarësim dhe për bileta për ndeshjen me Norvegjinë", - thekson Sula. Ai shprehet se një interesim të tillë ka pasur vetëm në prag të ndeshjes më Zvicrën. Më tej, Sula flet edhe për organizimet e grupimit të tij, që siç thotë ai, do të jenë madhështor: "Organizimet i kemi nisur shumë kohë më përpara. Kemi krijuar grupet e punës që do të merren me koreografinë, me shtypjen e bluzave të reja të TKZ-së dhe gjithashtu po mendojmë për një festë para dhe pas ndeshjes". Sula konfirmon vendtakimin para ndeshjes të tifozëve, pikërisht te Piramida në Tiranë, ku TKZ po bën planifikimet e fundit për një festë, që do të nisë qysh në mesditën e 7 qershorit, duke i ftuar të gjithë tifozët që t'i bashkohen festës së tyre. "Tifozat Kuq e Zi" tashmë kanë publikuar edhe parullën "Unë Besoj", që është shndërruar në një "maskotë" për tifozët e Kombëtares nëpër rrjetet sociale. "'Unë Besoj' është një parullë që i përshtatet këtij momenti shumë të rëndësishëm në të cilën ka arritur Kombëtarja, por kjo nuk do të thotë që 'Tifozat Kuq e Zi' besojnë vetëm tani. Ne e kemi dëshmuar se kemi besuar gjithnjë, madje edhe atëherë kur jemi mposhtur nga skuadra si Luksemburgu", - ka përfunduar Olsi Sula. Që ka një interesim të madh biletash, e ka konfirmuar edhe Federata Shqiptare e Futbollit, pavarësisht që akoma shitjet nuk kanë nisur, kjo më shumë për të eliminuar tregun e zi.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)