E Diel, 1 Nëntor 2026

Panariti pret Arvizun dhe ambasadoren Tomáová

Tiranë- Ministria i Punëve të Jashtme z. Edmond Panariti, priti sot në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Aleksandër Arvizu.

Ambasadori Arvizu uroi Ministrin e Punëve të Jashtme Panariti për marrjen e detyrës dhe nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Shqipërisë.

Ai vlerësoi maksimalisht politikën dhe rolin e Shqipërisë në rajon dhe më gjerë, si dhe, në mënyrë të veçantë, rolin dhe mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe zhvillimet globale.

Ndërkohë ministri Panariti vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve si dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA në mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, si në planin dypalësh ashtu edhe në bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe organizatave ndërkombëtare.

Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik, Ministri Panariti theksoi rëndësinë e madhe që paraqet për vendin tonë rritja e prezencës së investimeve amerikane, duke vënë në dukje faktin se tashmë Shqipëria nuk paraqitet thjesht si një treg i vogël, por si pjesë e një tregu rajonal të integruar.

Ambasadori Arvizu shprehu dakordësinë për rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe premtoi vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta për nxitjen dhe rritjen e prezencës së investimeve amerikane në Shqipëri.

Po sot Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti priti , në një takim kortezie, Ambasadoren e Republikës Çeke në Tiranë, Bronislava Tomáová, e cila theksoi rëndësinë e përmbylljes së reformës për heqjen e imunitetit brenda afatit, dhe u shpreh se ekzistojnë të gjitha mundësitë për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria gjatë këtij viti.

Për sa i përket marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimit të dialogut politik mes dy vendeve, ajo ftoi Ministrin Panariti për të zhvilluar një vizitë në Pragë, si dhe informoi për zhvillimin e vizitave të tjera në nivel ministrash.

Ministri Panariti, nga ana e tij, shprehu vlerësimin për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona dhe falenderoi për mbështetjen e rëndësishme të dhënë nga Çekia në procesin e integrimit të vendit në BE.

/IDEA/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›