Panariti tërhiqet: Nuk ka grup pune për paktin detar me Greqinë
Kryediplomati, vetëm dy javë më parë deklaroi të kundërtën
Ministria e Jashtme do të jetë transparente në çdo hap që ajo do të bëjë në raport me marrëveshjen për ujërat me Greqinë
Nëse neve do të na duhet të bisedojmë në të ardhmen do ta bëjmë këtë gjithmonë në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese
BLEDAR HOTI
Nuk ka asnjë grupe pune për çështjen e kufirit detar me Greqinë. Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti deklaron se në dikasterin që ai drejton nuk asnjë grup pune që trajton marrëveshjen detare me Greqinë. Më lejoni që të jem i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Në radhë të parë, nuk ka asnjë negociatë, nuk ka negociatorë dhe nuk ka grupe pune për negociatat me Greqinë, për sa i përket marrëveshjes ujore detare me këtë vend. Natyrisht është normale që brenda institucionit të ketë një trajtesë teknike dhe në këtë kuptim është më se normale që Ministria e Punëve të Jashtme të merret me këtë çështje, si dhe me shumë çështje të tjera të rajonit apo të përmasave globale. Nëse neve do të na duhet të bisedojmë në të ardhmen me autoritete greke për çështjen e kufijve ujorë do ta bëjmë këtë gjithmonë në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në respekt të Kushtetutës së vendit, në respekt të ligjeve ndërkombëtare, tha dje kryediplomati shqiptar. Panariti në lidhje me amullinë e krijuar për grupin e ekspertëve u shpreh se është më se normale që të ketë një trajtesë të brendshme të këtij problemi nga Ministria e Jashtme. Në rast se nuk merret Ministria e Jashtme kush do të merret? Pra, është më se normale në logjikën e gjërave që Ministria e Jashtme, sikundër dhe për shumë probleme të tjera që ka në rajon, të trajtojë dhe të jetë e përgatitur për të prodhuar opsione për trajtimin e çdo problemi kur neve do të na duhet të ulemi me palën greke për të diskutuar, për të debatuar rreth kësaj çështjeje, theksoi kreu i diplomacisë shqiptare. Por a do të jetë transparent ky institucion në këtë proces kaq të ndjeshëm? Ministria e Jashtme do të jetë transparente në çdo hap që ajo do të bëjë në raport me marrëveshjen për ujërat me Greqinë, si dhe për çdo problem tjetër. Madje ne ftojmë që pjesë e këtij diskutimi të jenë edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe ne jemi të gatshëm në çdo moment që të japim informacione të detajuara në të gjitha nivelet, duke respektuar rigorozisht hierarkinë institucionale të shtetit, theksoi kryediplomati.
Sipas Panaritit, negociatat për marrëveshjen ujore do të fillojnë kur ne të jemi gati nga ana teknike për këtë çështje dhe kur kjo të gjykohet oportune dhe në interesin tonë kombëtar. Për sa i përket vizitës në Greqi, kam një ftesë nga homologu im grek, të cilën e pranova me shumë kënaqësi. Dhe pikërisht ne e zhvillojmë këtë vizitë për tu dhënë një hov të ri marrëdhënieve të mira midis Republikës së Shqipërisë dhe Greqisë dhe presim që të ketë zhvillime pozitive. Dy javë më parë vetë kryediplomati kishte pranuar ngritjen e grupit të punës. Gjithashtu dhe sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së, Gazmend Turdiu, u shpreh se nuk ka negociata me palën greke. Kjo është e padiskutueshme. Ka një grup pune i ngritur mbi bazën e urdhrit të Kryeministrit që ka detyrë të shqyrtojë situatën dhe të paraqesë propozime në aspektin teknik, për ti paraqitur këto propozime më pas në institucionet vendimmarrëse për shqyrtim dhe për vendimmarrje. Këtyre qëndrimeve iu kundërvu vetë Kryeministri Berisha, i cili në konferencën e disa ditëve më parë u shpreh se Ju garantoj ju se asnjë grup pune nuk është krijuar, asnjë marrëveshje nuk është negociuar, asnjë veprim nuk është bërë. Duke theksuar këtë do të theksoj anën tjetër. Shqipëria do të hapë negociatat për të zgjidhur me vendet fqinje të gjitha problemet që ekzistojnë. Këtu ne nuk kemi asnjë hezitim dhe jemi të hapur, por sigurisht në respekt të plotë të ligjeve, Kushtetutës së vendit, vendimeve, përcaktimeve të Gjykatës Kushtetuese, vendime të cilat kanë tagrin, forcën e prerogativave kushtetuese. Por me vendin mik Greqinë, Maqedoninë, dhe çdolloj vendi do të diskutojmë çdo problem të mbetur.
Gazetari i Top Channel
Ndalimin për mos të hyrë në territorin grek të gazetarit të Top Channel, Marin Mema, ministri Panariti e cilësoi si një ngjarje shumë të rëndë. “Kjo është një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur me gazetarin e nderuar të Top Channel, zotin Marin Mema. Menjëherë Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar. Kemi kontaktuar autoritetet greke u kemi bërë të ditur që ne presim sqarime për arsyet e ndalesës së gazetarit. Jemi në pritje të sqarimeve më pas do të ndërmarrim hapat respektivë në funksion të përgjigjes që do të na vijë nga ambasada greke”, tha Panariti.
Hapat
Ministri - Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, deklaroi dy javë më parë se së shpejti do të publikohen rezultatet për negociatat me Athinën
Turdiu - Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu, deklaroi se ai ishte kreu i grupit të punës për paktin e ujërave
Berisha - Kryeministri Sali Berisha deklaroi se nuk ka asnjë proces diskutimesh dhe nuk është ngritur asnjë grup pune për detin
Topi - Presidenti Bamir Topi deklaroi pak kohë më parë se diskutimet në nivel ekspertësh janë ngritur pa dijeninë e tij kur ishte President
Vendimi - Dy vite më parë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi marrëveshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për delimitimin e kufirit detar, duke e cilësuar antikushtetuese dhe në dëm të interesave të vendit, pasi ishte anashkaluar Presidenti dhe ishte dhënë territor në favor të Athinës
Panariti tërhiqet: Nuk ka grup pune për paktin detar me Greqinë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip