E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pandëshkueshmëria e krimeve të komunizmit solli... “çadrat partizane”...



Duke parë këto ditë ngjarjet e “netëve të bardha” të opozitës, në formë proteste me parulla “për votën e lirë” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, udhëhequr nga njerëzit e Partisë së Punës diktatoriale të Shqipërisë, së bashku me bijtë e bllokmenëve dhe të ish-sigurimsave më të shquar e besnikë të Enver Hoxhës, të bashkuar tashmë ashiqare edhe me njerëzit që deri dje ndodheshin të infiltruar si politikanë, gazetarë, badigardë apo këshilltarë të qeverive të djathta, vetvetiu u nxita të shfletoja edhe një herë parathënien e librit të famshëm të Sadik Bejkos, për “poetët e pushkatuar” nga shteti i diktaturës komuniste, me parathënie të shkrimtarit tonë me famë botërore, Ismail Kadaresë. Aty thuhen gjëra të vërteta e të padiskutueshme me tërë autoritetin e një njeriu që, për dekada në diktaturë, ishte ylli i netëve të errëta, tek i cili shqiptarët, veçanërisht rinia shqiptare, shihte nëpër librat e Ismail Kadaresë një dritë shprese për atë që do të vinte pas diktaturës së egër që përjetonim. Ja, ç’thotë në këtë parathënie, midis të tjerave, kolos i letrave shqiptare:

... “S’ka shumë kohë, Këshilli i Evropës, pas shumë pengesash, nxori, më në fund, Rezolutën historike për dënimin e krimeve të komunizmit. Të gjitha vendet ish-komuniste janë vënë përpara kërkesës për pastrimin e ndërgjegjes së popujve që kaluan nëpër këtë kalvar. Në qoftë se të gjitha vendet e Evropës ish-komuniste ndodhen sot të përfshira në këtë proces të vështirë moral, Shqipëria duhet të ishte në radhën e parë të tij... Për fat të keq, Shqipëria e sotme, aq e zellshme në të keqen që shkoi, nuk po tregon asnjë ngut për t’u ndarë prej saj. Jo vetëm kaq. Ka njëfarë kohe, që hapësira mediatike dhe botimet shqiptare kanë pësuar një përmbytje të paparë prej pranisë gati nostalgjike të regjimit që u përmbys. Kujtime e dëshmi të dyshimta, mashtrime ulëritëse, portrete xhelatësh me ngjyra të rreme, kureshti rozë dhe falsifikime pafund, të gjitha këto janë të shkruara nga njerëz që hiqen sikur nuk kanë parë, madje as kanë kuptuar se ç’ndodhte. E këta babëlokë kinse naivë, jo vetëm që kanë ditur gjithçka, jo vetëm kanë ndjekur me admirim xhelatët te sheshi i varjes apo pushkatimit, por shpesh ka ndodhur që i kanë dhënë viktimës plumbin e fundit, për të festuar, pastaj, siç tregon Sadik Bekjo në librin e tij, “ fitoren mbi armikun e klasës”...

Për ta përmbyllur parathënien e vet të famshme, shkrimtari i madh, në librin “Poetët e vrarë nga shteti”, del në konkluzionin e padiskutueshëm që po e shohin dhe e ndiejnë të gjithë shqiptarët, sot, në këto “ditë e net të bardha partizane” (!!!) ... në sheshin e bulevardit “Dëshmorët e kombit”, kur thotë:

...“Komunizmi ka rënë në Shqipëri, por jo pluhuri dhe duhma e tij. Vezët e gjarprit janë ende kudo. Ato vazhdojnë të pjellin mashtrim, dhunë psikike e sidomos urrejtje. Ato janë shpërndarë në partitë e majta e të djathta, në të vogla e të mëdha. Ato rrinë syçelët për t’i siguruar mbrojtjen historike diktaturës së rrëzuar. Ato nxitin një kritikë të sipërfaqshme, shpeshherë në nivel vjershurinash e artistësh, për të hequr vëmendjen nga ajo që përbënte thelbin e sistemit: krimin e mirëfilltë. Provoni të prekni dosjet delikate të tij. Provoni të kërkoni seriozisht dhe jo sa për të larë gojën të fshehtat e ndryra me shtatë palë çelësa nëpër arkiva. Provoni të flisni për famëkeqin “Fond të Partisë”, miliona dollarë të depozituar në banka të huaja prej regjimit komunist, të cilin asnjë nga qeveritë postkomuniste nuk guxon ta kërkojë. Provoni, pra, të prekni tabu të tilla dhe ju do të gjendeni befas nën breshëritë e një sulmi të pandërprerë, të palodhshëm, që vazhdon me muaj, me stinë e disa herë me vite. Vezët e gjarprit për këtë janë programuar: të përtëritin helmin e tij...”

Nëse në Shqipëri do të kishte qenë e vërtetë fitorja e forcave antikomuniste në vitin 1992, me siguri që nuk do të kishte ndodhur përmbysja demokratike e vitit 1997, nuk do të ishte vrarë Azem Hajdari, lideri i rinisë demokratike, nuk do të ishin pasuruar për tetë vjet në pushtet kriminelët e diktaturës, nuk do të merrnin “diploma perëndimore” bijtë e bijat e tyre që po kërkojnë me ngulm pushtetin sot, si njerëzit më të zotë e të përligjur për të sunduar Shqipërinë, duke kërcënuar hapur popullin për dhunë, nëse nuk u jepet pushteti i dëshiruar. Dhe kanë të drejtë. Vezët e gjarprit për këtë janë programuar: të përtërijnë sundimin dhe të ruajnë arshivën e shtetit komunist që tregon krimet e të parëve të tyre. Veçse ata po harrojnë apo nuk po duan të kuptojnë se Shqipëria dhe shqiptarët sot nuk janë ata dje, në diktaturë, që rrethoheshin me tela gjembaçë e trembeshin nga burgjet dhe internimet e kriminelëve të diktaturës, të shpërfytyruar nga thundra e pamëshirshme e moralit sllavo-ortodoks, qëllimi i së cilës ishte thellësisht antishqiptar e antidemokratik. Sot në Shqipëri ka triumfuar në mënyrë të padiskutueshme dëshira e mbi 90% e shqiptarëve për të qenë organikisht pjesë e ligjeve dhe moralit perëndimor, pjesë të forcës më të madhe ushtarake të perëndimit, NATO-s, si edhe anëtarë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.

Atë që po kërkojnë “vezët e gjarprit” janë kërkesa për të ndërtuar një shtet rrumpallë dhe antievropian...

Si mund të besohen ende sot, pikërisht ata që vijnë me një biografi të errët nga shteti kriminal i diktaturës, se gjasme po u qanë zemra për popullin dhe demokracinë e vërtetë në Shqipëri, pa dëshmuar asnjëherë, qoftë edhe në një rast të vetëm, se janë shkëputur moralisht nga kasaphana çnjerëzore komuniste që shqiptarët lanë prapa me neveri?

Si mund të besohet Skënder Gjinushi, Paskal Milo dhe Spartak Ngjela me shokë, sot të papunë, partitë e të cilëve, së bashku kapin a s’i kapin 2% të popullsisë që voton, kur deklarojnë se “numërimin e votave e kërkon i tërë populli shqiptar”. Njëlloj siç e identifikonte veten dikur Partia Komuniste me të gjithë popullin shqiptar (!)...

“Në emër të popullit jeni i arrestuar!”, – i thanë Xhelal Koprencës, pasi e morën për ta ridënuar, natën, aty ku flinte, të burgosurin e Spaçit.

“Populli po fle, as nuk e di fare ç’bëni ju sonte me mua”, - qe përgjigjja e heroit të pavdekshëm të demokracisë, të cilin e pushkatuan me një gjykim të manipuluar, fals.

Ndërsa mentaliteti i egërsisë proletare kalon përtej të pabesueshmes, kur kreu i opozitës deklaron para mikrofonit se “Shqipëria është tjetër sot nga ajo e 48 orëve më parë” vetëm pse kuadrot e diktaturës dhe “çunat e çupat e bllokmenëve” kaluan dy net në shesh, duke ngrënë salsiçe dhe biftekë, me këngë e valle, në bulevardin para “Komitetit të tyre Qendror”. Me këtë rast, i quajnë këto ditë, si një akt madhor për ndërrimin e historisë së popullit shqiptar !!!?... Hajde djema, hajde!

Po cilët qenkan këta burra e gra që e ndërruakan historinë e vendit të tyre me këngë e valle partizane, me të ngrënë e me të pirë, pas dy-tri net “sakrificash” kaq të eglendisshme?

Në cilin vend demokratik dhe anëtar të NATO-s paska ndodhur kjo mrekulli, që, me t’iu ngritur atyre të partisë humbëse në zgjedhjet e lira e demokratike, me dëshirë ajo, kërkojnë t’u dorëzohet pushteti vetëm sepse këta na bëkan protesta të zgjatura dhe, për më tepër, na qenkan edhe pinjoj të baballarëve apo nipërit e mbesat e atyre që të bëkan gjëmën, si dikur?

Po ata djem nënash, burra dhe gra shqiptare që luftuan dekada të tëra kundra bishës komuniste, ditë e net lidhur me vargonj, që u kalbën burgjeve dhe kanaleve me plumba kokës, ngrënë e pa ngrënë dhe fëmijët e tyre jetim që vdisnin nga uria dhe sëmundjet e pashërueshme, ua varroste komunalja sikur të ishin ca këlyshë qensh, çfarë duhet të bëjnë në këtë rast? Aq më tepër kur këta kanë edhe pushtetin e tyre të ligjshëm, të merituar nga vota e lirë e popullit dhe monitorimi i ndërkombëtarëve, vallë nga kush do të turpëroheshin, në një rast të tillë, po të zbatonin ligjet e shtetit demokratike dhe t’i jepnin përgjigjen e merituar atyre që u pëlqen të dalin me pallë në dorë sa herë u nevojitet pushteti?

“Fali, o zot, se nuk dinë ç’thonë e ç’bëjnë! - do të thoshte patër Mëshkalla teksa komunistët i kërkonin të mohonte perëndinë - Mëshiroji, sepse janë në grahmat e fundit të privilegjeve të tyre të pamerituara, me anën e të cilave, dekada të tëra, shpërdoruan aq shumë djersën dhe gjakun e popullit të tyre!” Amin!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›