CEZ Albania: Kontrolli i BE-së, sipas rregullave dhe për shkak të rritjes së grupit CEZ
Kompania CEZ Albania, e cila ka privatizuar sistemin e shpërndarjes së energjisë ka reaguar nëpërmjet një deklarate për shtyp ku ka sqaruar pozicionin e saj lidhur me hetimin që Komisioni Evropian ka nisur në selinë e saj qendrore. Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë, hetimi i nisur është në përputhje me rregullat në fuqi dhe se ai vjen për shkak të rritjes që ka pësuar grupi CEZ. Zyra e CEZ në Tiranë në deklaratën e saj sqaron në detaje kontrollin e ekspertëve të BE-së në selinë e tyre ne Pragë. Në këtë njoftim sqarohet: “Me datën 24.11 në orët e para të mëngjesit në zyrat e drejtorisë CEZ në Pragë dhe në adresën zyrtare të shoqërisë së minierave të Çekisë Veriore të grupit CEZ, u paraqitën punonjësit e inspektimit të Komisionit Evropian, duke i dorëzuar përfaqësuesit të kompanisë urdhrin e komisionit sipas të cilit kompania duhet t’i nënshtrohej kontrollit bazuar në ligjin nr. 20, paragrafi 4, urdhëresa 1/2003 dhe menjëherë nisën kontrollin. Komisioni Evropian e justifikoi kontrollin duke dhënë arsyen se ka informacion që CEZ mund të ketë tentuar të kufizojë zhvillimin e konkurrencës midis kompanive në tregun e energjetikës”. Sipas deklaratës nga zyra e CEZ Albania në Tiranë, thuhet se më konkretisht nga ekspertët e BE-së u tha se CEZ mund të kishte krijuar pengesa në projektet e prodhuesve konkurrent të energjisë dhe që mund të jetë i implikuar në kufizimin e tregtisë së qymyrgurit ose që mund të ketë manipuluar çmimet në tregun çek të energjitikës. Deklarata sqaron se ky kontroll vjen si rrjedhojë logjike e rritjes së CEZ, i cili sot është pjesë e kompanive më të mëdha të energjitikës dhe për këtë arsye ndodhet nën një mbikëqyrje të rreptë. Komisioni Evropian në të njëjtën mënyrë ka ushtruar kontroll dhe mbi 20 kompani të tjera energjitike në 6 shtete, së fundmi në mars të vitit 2009 realizoi kontrollin e rreptë në gjigandin Electricité d’France në Francë.
Para një viti u inspektua gjithashtu kompania gjermane EON. Sipas drejtuesve të kësaj kompanie të gjitha veprimet e kryera në tregun e energjetikës janë në përputhje me të gjitha ligjet, rregullat dhe etikën. “Duke marrë në konsideratë se Komisioni Evropian disa herë është shprehur se tregu ne Republikën Çeke është nga më të hapurit në Komunitetin Evropian, mendojmë se edhe ky inspektim do të dali me të njëjtin përfundim. Prandaj, këtë kontroll e mirëpresim dhe e shohim si një mundësi për t’u dhënë fund spekulimeve të përhapura nga konkurrentët tanë dhe nga kompanitë me të cilat jemi në kontradikta tregtare”, - thuhet në njoftim.